Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me gjendjen në sistemin shëndetësor.

Gjatë interpelancës së ministrit, Vitia pretendoi se Reshitaj, në takimet që kishin zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë, e kishte lavdëruar për investimet në këtë sektor, madje duke i thënë: “Lum ne që të kemi”.

Ai shtoi se deputetja kishte paraqitur edhe kërkesa personale, por sipas tij, asnjëherë nuk kishte ngritur shqetësime për ndonjë dështim në sistemin shëndetësor.

Reklamë

“Ju keni ardhur e më keni lavdëruar se çfarë investimesh të jashtëzakonshme po i bëni, lum ne që të kemi. Në shumë takime të cilat i kemi mbajtur në zyrën e Ministrisë së Shëndetësisë, ju vetëm lëvdata keni pasur për sistemin shëndetësor. Në fakt, keni pasur edhe kërkesa personale, që ju kam thënë se nuk mund të përfundohen, mirëpo kurrë nuk keni ngritur çështjen e ndonjë dështimi, vetëm keni uruar”, tha Vitia.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi Reshitaj, e cila mohoi se e kishte lavdëruar ministrin apo se kishte zhvilluar biseda të tilla me të.

“Albena Reshitaj nuk të ka vlerësuar dhe nuk të ka thënë se po bëni punë të mirë. Unë kam qenë opozitë për katër vite dhe me juve nuk kam qeverisur, vetëm kemi shkuar në zgjedhje. Asnjëherë unë me ty nuk kam diskutuar për të arritur atë që ju po e proklamoni. Më keni përzier me dikë, mos krijoni të pavërteta”, tha ajo.

Në debat u përfshi edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, i cili doli në mbrojtje të Vitisë. Ai, me telefon në dorë, i tregoi Reshitajt një postim të saj të datës 19 dhjetor 2025, përmes të cilit pretendoi se ajo kishte vlerësuar investimet në shëndetësi në Prizren.

“Është normale, meqenëse e keni lavdëruar vetë, siç tha ministri. Nëse nuk i besoni as ministrit, as mua, ua gjeta postimin me datë 19 dhjetor 2025, publikoni vetë dhe thoni: ‘Shëndetësia që po merr formë konkrete në Prizren’. Pra, me fakte konkrete e keni pranuar edhe vetë. Sot po bëheni sikur jeni person tjetër. Është tepër e ulët për një deputete, është krejt në rregull t’i ndërroni partitë çdo ditë, por jo qëndrimet”, tha Azemi.

Reklamë

Përplasja ndodhi pasi Reshitaj kritikoi gjendjen në sistemin shëndetësor, duke thënë se problemet janë të pranishme nga kujdesi parësor deri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).