Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka deklaruar se ndërprerja masive e fluturimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dyshohet të jetë shkaktuar nga një problem teknik gjatë punimeve për modernizimin e sistemit të komunikimit të Administratës Federale të Aviacionit (FAA).
Gjatë një konference për shtyp, Duffy ka përjashtuar, sipas vlerësimeve fillestare, mundësinë që incidenti të ketë qenë rezultat i një sulmi kibernetik nga ndonjë shtet i huaj.
Ai ka shpjeguar se problemi ka nisur në një lokacion të largët të FAA-së, ku një kontraktor po kryente punime rutinë për zëvendësimin e linjave të vjetra të telekomunikacionit me fibra optike.
Sipas tij, sistemi përdorte kabllo bakri aq të vjetra sa prodhimi i tyre ishte drejt ndërprerjes.
Gjatë procesit të modernizimit, një defekt teknik dyshohet se ka shkaktuar mbingarkesë në sistemin e kontrollit të trafikut ajror, duke gjeneruar më shumë se 1,000 përpjekje për lidhje çdo katër deri në pesë sekonda.
Kjo situatë çoi në ndërprerjen e komunikimeve dhe në vendimin për ndalimin e përkohshëm të fluturimeve në të gjithë territorin amerikan.
Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë përcaktuar saktësisht se çfarë shkoi keq gjatë punimeve.
“Ajo që po përpiqemi të përcaktojmë është nëse kemi pasur paaftësi gjatë kryerjes së punimeve apo nëse është instaluar një router me defekt”, ka deklaruar Duffy.
Ai ka theksuar se hetimet teknike po vazhdojnë për të identifikuar përgjegjësinë dhe shkakun përfundimtar të incidentit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, sekretari amerikan i Transportit ka deklaruar se autoritetet nuk besojnë që ndërprerja të ketë qenë pasojë e ndonjë sulmi kibernetik.
“Ne nuk besojmë se ishte një sulm kibernetik, sepse sapo arritëm të izolonim punën që po kryhej në atë vendndodhje të largët, të gjitha sistemet tona u rikthyen në funksion”, ka thënë ai.
Duffy ka shtuar se problemi lidhej me një sistem të FAA-së, me pajisjet ose me punën e kontraktorit përgjegjës për mirëmbajtjen.
“Ishte një sistem i FAA-së që nuk funksionoi siç duhej, ose kontraktori ynë apo pajisjet nuk funksionuan siç duhej dhe shkaktuan ndërprerjet”, ka deklaruar ai.
Hapësira ajrore amerikane është rihapur pas ndërprerjes së madhe, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin e plotë të operacioneve.
Sipas përditësimeve, fluturimet kanë rifilluar pas heqjes së urdhrit për ndalimin e tyre, megjithatë pasojat e incidentit vazhdojnë të ndihen në aeroporte.
Një numër fluturimesh ende po përballen me vonesa dhe anulime, ndërsa kompanitë ajrore po përpiqen të normalizojnë oraret e udhëtimit. /Telegrafi/