AUV ka tërhequr nga tregu një seri të qumështit VITA UHT 3.2%, pasi analizat laboratorike në Austri dhe Kosovë kanë konfirmuar tejkalimin e nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se masa e tërheqjes nga tregu përfshin vetëm një seri të produktit të prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K., përkatësisht Qumështorja VITA.
Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për qumështin VITA UHT me 3.2% yndyrë, në paketim prej një litri, me datë prodhimi 18.07.2026 dhe afat përdorimi deri më 18.01.2027.
Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë këtë produkt dhe ta kthejnë në pikën e shitjes ku e kanë blerë.
“Konfirmimi më i fundit është bërë nga Instituti për Sigurinë e Ushqimit në Linz, në kuadër të Agjencisë Austriake për Shëndetësi dhe Siguri Ushqimore (AGES). Raporti ka konstatuar përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 µg/kg, kundrejt nivelit maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Ky rezultat, sipas Agjencisë, është në përputhje me analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, i cili kishte konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar në tri mostra të qumështit VITA 3.2%.
AUV ka sqaruar se tërheqja aktualisht zbatohet vetëm për serinë e identifikuar, ndërsa produktet dhe seritë e tjera të të njëjtit prodhues nuk janë përfshirë në këtë masë.
“Seritë dhe produktet e tjera të të njëjtit prodhues nuk janë objekt i kësaj mase, ndërsa verifikimet e mëtejshme janë në vazhdim”, thuhet në njoftim.
Agjencia ka bërë të ditur se, bazuar në rezultatet laboratorike dhe dispozitat ligjore, ka urdhëruar bllokimin dhe tërheqjen e kësaj serie nga tregu. Operatori është i detyruar të ndalojë shitjen dhe shpërndarjen e produktit, ta tërheqë atë nga pikat e shitjes dhe të dokumentojë sasitë e tërhequra.
Në njoftim përmenden edhe konstatimet e mëparshme laboratorike në Maqedoninë e Veriut, ku dy analiza të produktit LAND Milk UHT 3.2%, të prodhuar nga i njëjti operator, kishin evidentuar përqendrime të aflatoksinës M1 prej 0.100 dhe 0.139 ± 0.022 µg/kg, gjithashtu mbi kufirin e lejuar prej 0.050 µg/kg.
AUV ka bërë të ditur se do të zgjerojë kontrollet në seritë e tjera të prodhimit, duke përfshirë qumështin e papërpunuar, gjurmueshmërinë e furnizimit, sistemin e vetëkontrollit të kompanisë dhe ushqimin e kafshëve, me qëllim identifikimin e burimit të mundshëm të kontaminimit.
“Masat e mëtejshme administrative dhe ligjore ndaj operatorit do të përcaktohen pas përfundimit të verifikimeve të serive të tjera të prodhimit, bazuar në rezultatet laboratorike, konstatimet inspektuese dhe legjislacionin në fuqi”, ka njoftuar Agjencia.
Aflatoksina M1 është substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve. Sipas AUV-së, ekspozimi afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Ndërkaq, Agjencia ka bërë të ditur se gjatë periudhës gusht-nëntor 2026 ka realizuar kontrolle të gjera inspektuese dhe analiza laboratorike të qumështit vendor dhe atij të importuar.
Sipas saj, me përjashtim të rasteve dhe serive të identifikuara, mostrat e tjera të analizuara kanë rezultuar brenda nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.
AUV ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet në të gjithë zinxhirin ushqimor, nga ushqimi i kafshëve dhe fermat, deri te përpunimi, importi, shpërndarja dhe shitja e qumështit në treg.