Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin dhe ka kthyer në kufi 27 tonë misër merkantil nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës B1.

Sipas njoftimit, ngarkesa, e importuar nga kompania IDEAL GROUP SH.P.K. nga Peja, ishte paraqitur për import në pikën kufitare të Merdarit më 16 nëntor. Sipas rezultateve laboratorike, niveli i aflatoksinës B1 ishte 0.029 mg/kg, përkatësisht 45 për qind mbi kufirin e lejuar prej 0.020 mg/kg.

Aflatoksina B1 është substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër e drithëra të tjera. AUV ka bërë të ditur se në rastet kur misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, kjo substancë mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke paraqitur rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Për këtë arsye, inspektori fitosanitar kufitar ka refuzuar importin e gjithë ngarkesës, duke mos lejuar hyrjen e saj në tregun e Kosovës.

Reklamë