Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi të mërkurën në Suharekë, ku një person mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari me inicialet Rr.H., pas një mosmarrëveshjeje të çastit, dyshohet se ka qëlluar për vdekje viktimën S.D. në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Në komunikatën e Prokurorisë bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur të viktimës.
Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipet e krim-teknikës, me qëllim të zhvillimit të procedurave hetimore.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkaq, i dyshuari Rr.H. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.