Një ditë para mbylljes së konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka bërë të ditur se sa kandidatë kanë konkurruar për këtë pozitë.

Gazeta Online Reporteri.net i është drejtuar MPB-së me pyetje për numrin e kandidatëve që kanë konkurruar për këtë pozitë, nëse në mesin e aplikuesve ka zyrtarë që aktualisht mbajnë pozita udhëheqëse në Policinë e Kosovës, si dhe nëse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Fehmi Hoti, ka aplikuar në këtë konkurs.

Megjithatë, deri në publikimin e këtij lajmi, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e redaksisë, duke mos bërë të ditur as numrin e aplikuesve.

Reklamë

Pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është hapur pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga kjo detyrë, më 30 tetor të këtij viti. Ndërkohë, Fehmi Hoti është emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm.

Sipas konkursit të shpallur nga MPB-ja, mandati për këtë pozitë është pesëvjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar.

Mbetet të shihet se kush do të jenë kandidatët që do të hyjnë në garë për udhëheqjen e institucionit më të madh të zbatimit të ligjit në vend.