Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) gjatë hetimeve ka kërkuar nga kompania “Noa Energy Trade” qasje në kontratat e importit që ka realizuar për t’i sjellë energji elektrike Kosovës. Kjo qasje i është mohuar, ani pse dy rregullore të këtij institucioni i obligojnë kompanitë të shpalosin edhe të dhëna konfidenciale kur janë nën hetime.
Raporti i hetimeve mbi importin e energjisë elektrike për Kosovën nuk përmban fare të dhëna për vendet dhe prodhuesit prej nga kompania “Noa Energy Trade” e furnizoi me rrymë Kosovën.
Buletini Ekonomik ka raportuar se ka pasur qasje të kufizuar në këtë raport, i cili po mbahet në sirtar nga ZRrE për gati një vit, madje pa iu shkuar palëve nën hetim as për komente, siç kërkohet me rregullore.
ZRrE gjatë hetimeve ka kërkuar nga kjo kompani qasje në kontratat e importit që ka realizuar për t’i sjellë energji elektrike Kosovës. Kjo qasje i është mohuar, përkundër faktit se dy rregullore të këtij institucioni i obligojnë kompanitë të shpalosin edhe të dhëna konfidenciale kur janë nën hetime.
ZRrE-ja përmes qasjes në këto kontrata ka dashur të kuptojë nëse kompania “Noa Energy Trade” e ka blerë energjinë elektrike në bursa, apo direkt nga prodhues të energjisë elektrike.
Përveç kësaj, kjo informatë është vlerësuar si e rëndësishme edhe për të analizuar çmimin e energjisë elektrike që “Noa Energy Trade” e ka marrë nga prodhuesit e energjisë elektrike, për ta krahasuar më pas me çmimin në bursa.
Në raportin e hetimeve, si një nga gjetjet është shënuar edhe mosofrimi i qasjes në kontratat e importit nga kompania “Noa Energy Trade”.
Pjesë e hetimeve, përveç kësaj kompanie, ka qenë edhe KESCO si përgjegjëse për furnizim me energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës. Rrjedhimisht, angazhimi i kompanisë “Noa Energy Trade” është bërë nga KESCO përmes një tenderi të hapur.
Rregullativa ligjore në fuqi në Kosovë parasheh dy mënyra të shitblerjes së energjisë elektrike. Njëra është përmes ankandeve, apo kontaktit direkt mes blerësve dhe shitësve të energjisë elektrike, dhe tjetra, që është më e sigurt për konsumatorët, është për blerjet në bursa.
Rregullativa parasheh edhe kontrollin e plotë të ZRrE-së ndaj kompanive me licencë për tregtim me energji elektrike, përfshirë këtu edhe qasjen në kontratat me prodhuesit e energjisë elektrike, sidomos kur zhvillohen hetime, si në rastin konkret.
Kjo është e specifikuar fillimisht në nenin 12 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.
“Rregullatori ka të drejtë të kërkojë nga secila ndërmarrje për energji apo autoritet publik çdo informatë, të dhënë dhe dokument, përfshirë llogaritë dhe të gjitha informatat tjera financiare dhe të kontabilitetit, përfshirë edhe informacionet konfidenciale, të nevojshme për përmbushjen e funksioneve dhe detyrave të saj, në pajtim me këtë ligj dhe ligjet tjera përkatëse”.
Ndërsa Rregullorja për Masat Administrative dhe Gjobat e ZRRE-së parasheh edhe gjoba për kompanitë që nuk bashkëpunojnë gjatë fazës së hetimeve.
Neni 9, paragrafi 1.3 i kësaj rregulloreje përcakton se ZRrE-ja mund të vendosë gjoba kur subjekti “nuk jep informata të kërkuara sipas nenit 12 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë”.
Kurse paragrafi 1.5 parasheh gjoba edhe kur subjekti “nuk jep ndihmën e kërkuar” sipas nenit 13 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.
Kjo e drejtë e ZRrE-së për qasje të pakufizuar në dokumentacionin e kompanive që i ka nën hetim del edhe nga Rregulla REMIT, apo siç njihet Rregulla për Integritetin dhe Transparencën e Tregut me Shumicë të Energjisë.
REMIT është një kornizë rregullatore e Bashkimit Evropian që synon të parandalojë manipulimin e çmimeve, tregtimin në bazë të informacioneve të brendshme dhe praktikat e tjera abuzive në tregjet e energjisë elektrike dhe gazit.
Kosova e ka përshtatur këtë rregullore në kuadër të detyrimeve që ka si palë kontraktuese e Komunitetit të Energjisë.
Neni 13, paragrafi 3.1, i kësaj Rregulle të miratuar nga ZRrE-ja parasheh të drejtën e Rregullatorit për të pasur qasje në dokumentet relevante për hetimet dhe për të siguruar kopje të tyre. Kjo përfshin edhe kontratat e importit të energjisë elektrike, kur ato janë të nevojshme për hetimin.
ZRrE nuk ka dhënë përgjigje nëse janë marrë masa ndaj kompanisë “Noa Energy Trade” për mohim të qasjes në kontratat e importit, përkundër rregullativës ligjore.
As nga kompania “Noa Energy Trade” nuk kanë pranuar të flasin se pse ia mohuan qasjen Rregullatorit në këto kontrata.
Ndryshe, raporti i hetimeve në energjetikë ka gati një vit që nuk u ka shkuar palëve nën hetim për komente, një procedurë kjo e nevojshme para se raporti të dalë në Bord për vendimmarrje.
Këto hetime nga ZRrE nisën pas publikimit të një serie hulumtimesh për importin e energjisë elektrike.
Gjatë vitit 2024, kostot e bartjes së energjisë elektrike për Kosovën shkuan deri në 800 euro për megavat-orë, një “anomali” që ndodh vetëm në rastet kur ka bashkëpunime të dyshimta mes tregtarëve të energjisë elektrike.
Raporti i hetimeve i ZRrE-së vjen pas atij të KOSTT-it, i cili i ishte dërguar ZRrE-së në janar të këtij viti dhe në të cilin po ashtu konfirmoheshin këto dyshime.
Hetimet e ZRrE-së u përqendruan në rritjen e çmimit të kapaciteteve ndërkufitare, apo kostos së bartjes së energjisë elektrike, dhe atë kryesisht në kufirin Mali i Zi-Kosovë, aty ku kostoja për bartjen e 1 megavati rrymë gjatë vitit 2024 shkoi deri në 800 euro.
Në raport, ZRrE-ja konstaton gjithashtu se të gjitha këto kosto të fryra nga tregtarët e energjisë elektrike janë bartur te konsumatorët përmes tarifave të energjisë elektrike.
“Gjetjet e këtij raporti theksojnë se faktorët e sipërpërmendur, në kombinim me kufizimet strukturore të kapaciteteve ndërkufitare me bllokimin e linjave ndërkufitare me Serbinë, kanë kontribuar në rritjen e kostove të furnizimit me energji elektrike, duke u reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në barrën financiare të konsumatorëve”, thuhet në raportin vjetor të ZRrE-së për vitin 2025 në pjesën ku përmenden hetimet në sektorin e energjisë.