Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar pas vizitës së sotme të Jakup Krasniqit në shtëpinë e tij, pranë bashkëshortes Sevdije, e cila po përballet me gjendje të rëndë shëndetësore.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu e ka cilësuar të padrejtë ndarjen e gjatë të Krasniqit nga shtëpia dhe familja, duke shprehur bindjen se procesi ndaj tij në Hagë është politikisht i motivuar.
“Është e dhimbshme të shohësh se si një njeri që ia kushtoi jetën vendit të tij, sot detyrohet të jetojë larg familjes, nën peshën e një procesi të padrejtë dhe të motivuar politikisht”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka pretenduar se dënimi ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së nuk është rezultat i drejtësisë, por një dënim politik që, sipas saj, rëndon edhe mbi familjen e tij dhe historinë e luftës çlirimtare.
“Dënimi i Jakup Krasniqit nuk është rezultat i drejtësisë, por një dënim politik që rëndon mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi historinë e luftës sonë çlirimtare”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.
Musliu ka theksuar se procesi në Hagë nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës së UÇK-së.
“Haga nuk mund ta rishkruajë historinë e UÇK-së dhe as ta shndërrojë luftën për liri në faj!”, ka shkruar ajo.
Në fund, deputetja ka shprehur mbështetje për bashkëshorten e Krasniqit, Sevdije, duke i uruar shërim dhe forcë, ndërsa Jakup Krasniqit dhe familjes së tij u ka dëshiruar qëndresë.
“Sot mendimet dhe lutjet tona janë me zonjën Sevdije. I urojmë shërim dhe forcë, ndërsa Bacës Jakup dhe gjithë familjes Krasniqi qëndresë”, ka përfunduar Musliu.