Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka reaguar pas vizitës së sotme të ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në familjen e tij në Prishtinë.
Përmes një postimi, Kërçeli ka thënë se pamjet nga kjo vizitë ia kanë rikujtuar skenat e filmit “Një pallto për babain tim”.
Ai ka shprehur keqardhje që, sipas tij, pas gjithë sakrificave për liri, shqiptarët po përjetojnë sërish burgosje politike.
“Kush do ta kishte menduar se, pas gjithë këtyre dekadave, pas rënies së kaq shumë dëshmorëve dhe sakrificave të panumërta për liri, do të përjetonim sërish edhe burgosje politike për vetë lirinë që gëzojmë sot?! Edhe kjo si pasojë e votës së vet shqiptarëve”, ka shkruar Kërçeli.
Jakup Krasniqi qëndroi sot për disa orë në Kosovë, ku u takua me familjarët në Prishtinë. Vizita u lejua për arsye humanitare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.