Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka deklaruar se pret që Ligji për Gjykatën Speciale të votohet nesër, duke theksuar se partia e tij është e gatshme të nisë menjëherë procesin e plotësim-ndryshimit të tij, madje edhe ta ndryshojë sërish nëse paraqitet nevoja.

Rama ka thënë se ka bindjen që procedura për këtë ligj do të përfundojë nesër, në mënyrë që më pas të vazhdohet me plotësim-ndryshimet.

“E kam bindjen personale që nesër përfundon ky ligj, votohet, që sa më parë të fillojmë plotësim-ndryshimin. Edhe pas dy ditësh, nëse është kërkesë dhe nevojë për t’i dalë në ndihmë procesit, prapë jemi të gatshëm ta ndryshojmë”, ka deklaruar Rama në T7.

Reklamë

Ai ka folur edhe për diskutimet rreth emrit të Justinës Shiroka-Pula, duke mohuar se ajo ka qenë pjesë e bisedimeve fillestare të PDK-së.

Sipas Ramës, kryeministri Albin Kurti kishte kërkuar disa emra të përveçëm, por emri i Shiroka-Pulës nuk ishte diskutuar deri në momentin kur ishte propozuar.

“Ju garantoj që nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes sonë deri në momentin kur është propozuar Justina Shiroka-Pula. Për ne prioritet ka qenë ligji”, ka thënë ai.

Rama ka shtuar se Kurti kishte kërkuar dy apo tre emra të përveçëm, por se për PDK-në çështja kryesore kishte qenë ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Deputeti i PDK-së ka komentuar edhe procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, duke shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si po zhvillohet ky proces.

Reklamë

Ai ka pretenduar se në Gjykatën Speciale ka më së paku drejtësi dhe ka folur për ndikimin që, sipas tij, kanë pasur kundërshtarët e Kosovës.

“Më së paku ka drejtësi në atë gjykatë dhe ndikimi që ka ardhë prej armiqve të Kosovës. Lufta është bë me mbrojtë dinjitetin dhe integritetin kombëtar dhe familjet e trojet tona. Trajtimin në këtë formë s’e kam ëndërru e besu”, ka deklaruar Rama.

Ai ka thënë se nuk e kishte besuar që sakrifica e dëshmorëve do të përfundonte në një situatë të tillë.

“S’e kemi besu që gjaku i derdhur i dëshmorëve që është i shenjtë, që mundi me ardhë në kësi situate, nuk do koment”, është shprehur ai.

Reklamë

Rama ka mohuar gjithashtu akuzat se PDK-ja e ka tradhtuar apo shuar protestën kundër Gjykatës Speciale, duke theksuar se në të kishin marrë pjesë jo vetëm veteranët e UÇK-së, por edhe qytetarë të tjerë.

“Nuk e kemi tradhtuar protestën, aty kanë qenë jo vetëm veteranët e UÇK-së, por edhe përtej tyre. Nuk ka pasur tradhti, akuza mund të ketë”, ka deklaruar Rama.