Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u takua me Delcy Rodríguez në Karakas, përpara vizitës së planifikuar në Kolumbi, ku pritet të diskutojë mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë.
Hegseth, njoftoi të mërkurën, 18 nëntor, arritjen e një marrëveshjeje për bashkëpunim ushtarak me Venezuelën, raportoi televizioni shtetëror, gjatë një vizite të papritur në Karakas.
Hegseth u prit në kryeqytetin venezuelian nga udhëheqësja e përkohshme e vendit, Delcy Rodríguez, përpara vizitës së planifikuar në Kolumbi më vonë gjatë së njëjtës ditë.
“Ne e shohim këtë si një ripërtëritje të partneritetit tonë në fushën e mbrojtjes dhe si një mundësi që dy forcat tona të armatosura të bashkëpunojnë”, deklaroi Hegseth, sipas pamjeve të transmetuara nga VTV, televizioni shtetëror i Venezuelës.
Vizita, e cila nuk ishte bërë publike paraprakisht nga Pentagoni, shënon një tjetër hap drejt afrimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Karakasit, pas kapjes së Nicolás Maduro-s në janar.
Çfarë përfshin marrëveshja?
Marrëveshja e bashkëpunimit, e njoftuar nga Hegseth dhe Rodríguez, parashikon rifillimin e bashkëpunimit teknik dhe ushtarak mes Uashingtonit dhe Karakasit, i cili ishte pezulluar prej vitesh për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Sipas udhëheqëses venezueliane, një prej objektivave kryesore është forcimi i trajnimit të personelit të forcave të armatosura të Venezuelës, përmes programeve të përbashkëta të stërvitjes dhe bashkëpunimit.
Rodríguez tha se kjo nismë do të ndihmojë në rritjen e gatishmërisë së ushtrisë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të përbashkëta.
Marrëveshja synon gjithashtu përmirësimin e pajisjeve operative në dispozicion të forcave venezueliane, si dhe sigurimin e aksesit në teknologji të reja.
Deri më tani, asnjëra prej qeverive nuk ka dhënë detaje mbi afatet kohore për zbatimin e marrëveshjes, burimet që do të vihen në dispozicion apo mekanizmat konkretë përmes të cilëve do të realizohet bashkëpunimi.
Uashingtoni dhe Karakasi forcojnë marrëdhëniet
Rodríguez mori drejtimin e vendit pas kapjes së Maduro-s, megjithëse vazhdimësia e saj në krye të Venezuelës mbetet e paqartë. Mandati i saj i përkohshëm përfundoi në korrik dhe ende nuk është njoftuar një datë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Afrimi mes Uashingtonit dhe Karakasit është shoqëruar gjithashtu me marrëveshje për naftën venezueliane dhe me strategjinë e Shteteve të Bashkuara kundër trafikut të drogës në Karaibe dhe në Oqeanin Paqësor.
Kjo strategji ka shkaktuar vdekjen e të paktën 240 personave që nga shtatori i vitit 2025, gjatë sulmeve ndaj anijeve që dyshohet se transportonin drogë.
Vizita e Hegseth është pjesë e përpjekjeve të administratës së Donald Trump për të zgjeruar ndikimin e saj në Venezuelë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes është anëtari i tretë i kabinetit të Trump që viziton vendin gjatë këtij viti, pas vizitave të sekretarëve të Brendshëm dhe të Energjisë, të cilat u përqendruan te burimet e naftës dhe mineraleve të Venezuelës.