Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka reaguar lidhur me rastin e fundit të raportuar me malarie në Shqipëri, duke bërë të ditur se gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar gjithsej 12 raste, të gjitha të importuara nga jashtë vendit.

Sipas ISHP-së, deri më tani nuk ka asnjë evidencë për transmetim të malaries brenda territorit shqiptar dhe sëmundja nuk konsiderohet endemike në vend.

Në një njoftim zyrtar, institucioni sqaron se rastet e konstatuara gjatë viteve të fundit kanë qenë sporadike dhe lidhen me ekspozimin ndaj infeksionit në vende ku malaria është e përhapur.

Reklamë

Sa i përket rastit të fundit, ISHP bën me dije se pacienti është trajtuar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, ai ka dalë nga spitali dhe aktualisht gëzon shëndet shumë të mirë.

“Rasti i fundit i raportuar është trajtuar në kohë dhe në përputhje me protokollet përkatëse mjekësore. Pas marrjes së trajtimit dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti ka dalë nga spitali dhe aktualisht paraqitet në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Sipas të dhënave të Sistemit Elektronik të Sëmundjeve Infektive (SISI), gjatë periudhës 2022–2026 janë raportuar 12 raste me malarie në Shqipëri.

Shpërndarja sipas viteve paraqitet si më poshtë:

2022: 1 rast

Reklamë

2023: 5 raste

2024: 3 raste

2025: 2 raste

2026: 1 rast

Reklamë

ISHP thekson se të gjitha rastet janë klasifikuar si të importuara, pasi personat e prekur janë infektuar gjatë qëndrimit jashtë Shqipërisë.

“Gjatë pesë viteve të fundit nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit autokton të malaries në vendin tonë”, thekson Instituti i Shëndetit Publik.