Të enjten parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu, ndërsa mëngjesi do të vijojë me diell dhe vranësira. Këto të fundit pritet të dendësohen gjatë orëve vijuese të ditës, duke sjellë reshje lokale shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë rrebeshesh, përfshirë edhe orët e mbrëmjes, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.
Reshjet më intensive pritet të përqendrohen në Rrafshin e Dukagjinit, veçanërisht në pjesën jugperëndimore, pranë kufirit me Shqipërinë.
Era do të fryjë nga drejtimi i jugut dhe jugperëndimit. Gjatë orëve të pasdites pritet të fillojë të fuqizohet, duke arritur kulmin gjatë mbrëmjes, kur në lokalitete të caktuara pritet të arrijë intensitetin e stuhisë së fortë, me shpejtësi prej 20-85 km/h.
Stuhitë e forta pritet të shkaktojnë dëme lokale, përfshirë thyerjen e degëve të mëdha, rrëzimin e pemëve të dobëta, si dhe dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Objektet që nuk janë të fiksuara mirë mund të zhvendosen apo edhe të fluturojnë, duke paraqitur rrezik për njerëzit dhe pronën.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale nga 16 deri në 20°C. /MeteoKosova/