Trepça ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në FIBA Europe Cup, duke e mposhtur Splitin e Kroacisë me rezultat 94:88, në një ndeshje dramatike të zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Kampionia e Kosovës tregoi karakter të madh, duke u rikthyer nga një disavantazh prej dhjetë pikësh dhe duke triumfuar në fund falë paraqitjes së shkëlqyer në momentet vendimtare.

Ndeshja nisi më mirë për mysafirët, të cilët fituan çerekun e parë me rezultat 27:19. Megjithatë, Trepça reagoi fuqishëm në periudhën e dytë, duke fituar 32:19 dhe duke shkuar në pushim me epërsi prej pesë pikësh, 51:46.
Në pjesën e dytë, Spliti u rikthye furishëm dhe me një seri prej 12:0 arriti të përmbyste rezultatin, duke kaluar në epërsi 58:51. Kroatët vazhduan të kontrollonin lojën dhe në një moment krijuan epërsi prej dhjetë pikësh.

Reklamë

Por, “xehetarët” nuk u dorëzuan. Afër fundit të çerekut të tretë nisën rikthimin, ndërsa momenti vendimtar erdhi në periudhën e fundit.

Drilon Hajrizi ishte protagonist në çastet më të rëndësishme të ndeshjes. Pesë minuta e 52 sekonda para fundit, ai realizoi nga gjuajtja e lirë për t’ia dhënë Trepçës epërsinë 77:76. Mitrovicasit më pas nuk e lëshuan avantazhin deri në fund, duke siguruar një fitore të madhe me rezultat 94:88.

Më i dalluari te Trepça ishte Jean-Pierre Tokoto me 16 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime. Drilon Hajrizi dhe Andrew Thelwell realizuan nga 18 pikë secili, me Hajrizin që shkëlqeu veçanërisht në momentet vendimtare.

Në anën tjetër, Nick Johnson ishte më efikasi te Spliti me 30 pikë, gjashtë kërcime dhe gjashtë asistime.

Me këtë triumf, Trepça regjistron fitoren e katërt në shtatë ndeshje dhe shkon në kuotën e 11 pikëve. Edhe Spliti ka 11 pikë, me katër fitore dhe tri humbje.

Reklamë

Kështu, gara për vendin e dytë në Grupin A mbetet plotësisht e hapur, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në përfundim të fazës së grupeve. Dy skuadrat e para sigurojnë kualifikimin tutje.

Një tjetër natë e madhe evropiane për Trepçën, e cila këtë herë festoi para tifozëve të saj të zjarrtë në “Minatori”. Vlen të theksohet se mitrovicasit e kishin mposhtur Splitin edhe në ndeshjen e zhvilluar në Kroaci.