Mbretëria e Bashkuar konfirmoi sot se do të dëbojë atasheun e mbrojtjes të Mianmarit dhe do të kërkojë mbajtjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas një vendimi historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila konstatoi se Mianmari ka kryer gjenocid ndaj myslimanëve Rohingya.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Ed Miliband, tha se masat po ndërmerren menjëherë në përgjigje të vendimit të GJND-së, duke u mbështetur në sanksionet ekzistuese britanike kundër regjimit ushtarak të Mianmarit.
“Ne po ndërmarrim veprime të menjëhershme sot në dritën e këtij vendimi. Duke u mbështetur në sanksionet ekzistuese kundër regjimit të Mianmarit, po urdhërojmë dëbimin e atasheut të mbrojtjes të Mianmarit nga Mbretëria e Bashkuar dhe po bëjmë thirrje urgjente për një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar vendimin”, tha ai në një deklaratë.
Ai njoftoi planet për të thirrur në takim të ngarkuarin me punë të Mianmarit dhe për të paraqitur masa të tjera “në ditët në vijim” për të kërkuar llogaridhënie. “Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të veprojë dhe të sigurojë që autorët e këtyre krimeve të rënda të japin llogari”, tha ai duke dënuar “trajtimin e tmerrshëm” të myslimanëve Rohingya nga regjimi ushtarak i Mianmarit, raportojnë mediat ndërrkombëtare.
Miliband rikonfirmoi mbështetjen e Britanisë për GJND-në dhe të drejtën ndërkombëtare, duke theksuar se Mianmari duhet ta zbatojë plotësisht vendimin. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të luajë tani rolin e tij në mbështetjen e zbatimit të vendimit, llogaridhënies dhe drejtësisë për Rohingyat”, tha ai.
“Duhet të sigurohemi që vendimi i Gjykatës të dërgojë një mesazh të qartë se krime të tilla nuk mund të kryhen pa u ndëshkuar”, shtoi ai.
Sot GJND-ja vendosi se Mianmari ka kryer gjenocid ndaj myslimanëve Rohingya gjatë operacioneve ushtarake të vitit 2017 në shtetin verior Rakhine.
Vendimi shënoi rastin e parë kur gjykata më e lartë e OKB-së shpalli një shtet përgjegjës për kryerjen e gjenocidit. Gjykata urdhëroi gjithashtu Mianmarin të ofrojë dëmshpërblime dhe të ndërmarrë masa për të parandaluar shkelje të tjera.