Bekim Brestovci, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, është intervistuar sot, më 19 nëntor 2026, nga hetuesit e Krimeve Ekonomike, në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, e cila bën pjesë në kapitullin e veprave penale të korrupsionit.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar avokati i tij, Artan Qerkini, i cili ka bërë të ditur se Brestovci është përgjigjur në të gjitha pyetjet e hetuesve.
Ndërkohë, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Çlirim Gërbeshi, ka bërë të ditur se, përveç Brestovcit, nga Policia e Kosovës janë intervistuar edhe pesë zyrtarë të tjerë të Komunës së Prishtinës.
Në një postim në Facebook, Gërbeshi ka publikuar emrat e tyre: Menduh Halili, shef i Sektorit të Ndërtimit, si dhe inspektorët Blerim Thaçi, Veton Demolli, Lorik Zhubi dhe Mergim Shala.
Sipas Gërbeshit, ndaj këtyre zyrtarëve është ngritur edhe kallëzim penal.
“Këta janë zyrtarët që sot janë intervistuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndaj tyre është ngritur edhe kallëzim penal”, ka shkruar ai.
Asamblisti i VV-së ka drejtuar akuza edhe ndaj qeverisjes së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Kjo është qeverisja e Përparim Ramës: qeverisja e keqpërdorimit dhe e abuzimit. Kjo është qeverisja e krimit!”, ka shkruar Gërbeshi.