Kryeministri Edi Rama ka kritikuar  reagimet publike të Erion Veliajt dhe të avokatit të tij, duke iu referuar komunikimeve dhe qëndrimeve të tyre ndaj punonjësve të bashkisë.

Rama deklaroi se nuk mund të gjykojë Veliajn për atë që thotë apo bën, por shprehu dëshirën që ai të kuptojë se, sipas tij, po gabon në raport me të dhe me Partinë Socialiste.

“Uroj me gjithë zemër të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS”, u shpreh Rama.

Reklamë

Ai paralajmëroi se Partia Socialiste do të reagojë politikisht ndaj çdo drejtuesi në Bashkinë e Tiranës që, sipas tij, do të zbatojë vendime apo veprime të padrejta ndaj punonjësve të institucionit, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

Në vijim, kreu i qeverisë foli edhe për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, duke deklaruar se mungesa e kryebashkiakut aktual do të marrë zgjidhje përmes këtij procesi zgjedhor. Rama u shpreh i bindur se Partia Socialiste do ta fitojë sërish Bashkinë e Tiranës.

Në përfundim, ai mbrojti qeverisjen e PS-së, duke pranuar se gjatë 13 viteve në pushtet mund të jenë bërë gabime dhe të jenë shfaqur dobësi, por argumentoi se alternativat e tjera politike paraqesin, sipas tij, rrezik për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.