Aktivistja suedeze për klimën dhe mbrojtjen e mjedisit, Greta Thunberg, ka mbërritur në Tiranë, ku i është bashkuar protestës së njohur si “Revolucioni Flamingo”, në shenjë solidariteti me protestuesit.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Thunberg ka shprehur mbështetjen për qytetarët shqiptarë, duke theksuar se ata po ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre themelore, përfshirë të drejtën për të protestuar.

Ajo ka thënë se protestuesit po kundërshtojnë shkatërrimin e natyrës, atë që e cilëson si shitje të vendit te fuqitë imperialiste, si dhe dhunën shtetërore dhe korrupsionin.

Reklamë

“Jemi aktualisht në Tiranë, Shqipëri, në ditën e 173-të të protestës së pandërprerë gjatë ‘Revolucionit Flamingo’. Populli shqiptar ka treguar se si mund të bëhet rezistencë kundër shkatërrimit të natyrës, shitjes së vendit fuqive imperialiste, si dhe kundër dhunës shtetërore dhe korrupsionit. Dhe e gjithë kjo, thjesht duke ushtruar të drejtat dhe liritë e tyre themelore, përfshirë të drejtën për të protestuar. Protestuesit janë përballur me dhunë dhe represion të paprecedentë nga policia dhe shteti. Bota qëndron në solidaritet me ‘Revolucionin Flamingo’ dhe po ndjek me vëmendje gjithçka që po ndodh”, ka shkruar Thunberg.