Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka mohuar përfshirjen e vendit në sulmin me dron detar ndaj një korvete ruse, pas raportimeve se sulmi kishte origjinën nga territori shqiptar.

Në një reagim zyrtar, diplomacia shqiptare i ka cilësuar këto raportime si të pasakta, duke theksuar se ato nuk pasqyrojnë faktet dhe nuk mbështeten në prova të verifikueshme.

Ministria ka deklaruar se Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në incident dhe se territori i saj nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për nisjen ose lehtësimin e sulmit ndaj anijes ushtarake ruse.

Reklamë

“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thuhet në reagim.

Institucioni u ka bërë thirrje personave dhe institucioneve përgjegjëse për përhapjen e këtyre pretendimeve që të korrigjojnë informacionin.

Po ashtu, Ministria ka kërkuar më shumë saktësi, kujdes dhe përgjegjshmëri në raportimin e çështjeve që kanë ndjeshmëri të lartë ndërkombëtare.