Hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë janë zgjeruar edhe ndaj familjarëve të bashkëshortit të saj. Në mesin e katër personave të arrestuar në kuadër të veprimeve të fundit hetimore janë edhe vjehrra dhe kunati i së ndjerës, të cilët dyshohen për shtytje në vrasje.
Siç raporton Sinjali, bëhet fjalë për Nurije Sylajn, vjehrrën e Arlindës, dhe Driton Sylajn, kunatin e saj.
Po ashtu janë arrestuar edhe Gëzim Bobi dhe Metë Pepaj, të cilët dyshohet se e kanë ndihmuar Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e 49-vjeçares, pas kryerjes së krimit.
Arrestimi i tyre vjen rreth një muaj pas vrasjes, ndërsa hetimet tashmë po përfshijnë edhe rolin e dyshuar të familjarëve të bashkëshortit në këtë rast.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare nga Peja, u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë, nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe kishte pasur urdhër mbrojtës, ndërsa tri ditë para se të vritej i ishte drejtuar edhe kryeprokurores së Pejës për të shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.
Pas rastit u suspenduan kryeprokurorja dhe prokurorja e rastit, si dhe 11 zyrtarë policorë. Ndërkaq drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha dha dorëheqje. Vrasja nxiti protesta, me kërkesa për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale, ndërsa Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për këtë rast.