Deputetët opozitarë kanë kërkuar që Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) të ftohet për raportim në Komisionin për Shëndetësi, për të dhënë sqarime lidhur me listat e pritjes në institucionet shëndetësore.

Kërkesa u ngrit në mbledhjen e Komisionit, ku po diskutohej raporti me shkrim i Bordit të SHSKUK-së për listat e pritjes në institucionet e kujdesit dytësor dhe tretësor, furnizimin me barna nga lista esenciale gjatë vitit 2026 dhe furnizimin me pajisje medicinale.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se të dhënat e paraqitura nuk tregojnë përmirësim të qëndrueshëm të gjendjes, duke përmendur numrin e pacientëve që presin për shërbime shëndetësore.

Reklamë

Sipas saj, në vitin 2023 në listat e pritjes ishin rreth 14 mijë pacientë, ndërsa në vitin 2024 ky numër kishte rënë në rreth 10 mijë. Megjithatë, në qershor të vitit 2025 ishin mbi 12 mijë pacientë, kurse në janar të këtij viti numri kishte arritur në 12 mijë e 249.

Ajo përmendi edhe mbi 1 mijë e 300 pacientë që presin për koronarografi, me pritje që në shumicën e rasteve zgjasin deri në një vit.

“Në qoftë se e shohim raportin, shifrat që kemi nuk flasin për përmirësim të qëndrueshëm dhe kushdo që lexon statistikat e sheh që mbase në vitin 2023 kur kanë qenë 14 mijë ka pas një lëvizje në vitin 2024 që shifra ka zbrit në 10 mijë pacientë në listën e pritjes. Në qershorin e vitit 2025 i kemi pasur mbi 12 mijë pacientë. Janar të këtij viti listat e pritjes figurojnë prej 12 mijë e 249 pacientë”, tha Deliu-Kodra.

Ajo kërkoi që Bordi i SHSKUK-së të raportojë para Komisionit edhe për gjetjet e raporteve të auditimit, si dhe për shpërndarjen e pacientëve në listat e pritjes sipas klinikave.

Kërkesën për raportimin e Bordit e mbështeti edhe deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi.

Reklamë

“Ne kërkojmë nevojë urgjente që të thirret bordi i SHSKUK-së dhe të diskutojmë edhe njëherë këtë raport”, tha Bytyqi.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli, foli për investimet në pajisje mjekësore dhe donacionet e siguruara për institucionet shëndetësore.

Ai bëri të ditur se pajisjet e siguruara përmes donacioneve gjatë vitit 2026 kapin vlerën prej 1 milion e 139 mijë e 572 euro, ndërsa investimet e Ministrisë së Shëndetësisë në pajisje mjekësore janë afër katër milionë euro.

“Një sasi të konsiderueshme të pajisjeve të siguruara përmes donacioneve që përmblidhen nën një shifër buxhetore prej 1 milion e 139 mijë e 572 euro. Pra, nuk është pak, tregon për një nivel të lartë të bashkëpunimit me donatorë, për një qasje të mirë dhe pozitive qoftë nga ana e MSH-së, qoftë nga ana e SHSKUK-së, apo spitaleve rajonale”, deklaroi Meholli.

Reklamë

Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Naim Bardiqi, tha se SHSKUK-ja ka mbi 3 mijë e 800 shtretër, duke vlerësuar se mungesa e pajisjeve mjekësore është një nga faktorët që ndikon në zgjatjen e listave të pritjes.

Ai përmendi edhe paqëndrueshmërinë institucionale dhe zgjedhjet e shpeshta si faktorë që, sipas tij, kanë ndikuar në ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Botërore, në të cilën ishin paraparë rreth 20 milionë euro për sektorin e shëndetësisë.

Mjetet, sipas Bardiqit, ishin të destinuara kryesisht për digjitalizim, ndërhyrje në fëmijërinë e hershme dhe menaxhimin e mbeturinave, përfshirë ato mjekësore.