Avokati Leutrim Syla ka ndarë një rrëfim emocional për fëmijët e Liridona Ademajt, Dionin dhe Diarin, pas konfirmimit në shkallë të dytë të vendimit për vrasjen e nënës së tyre.
Përmes një postimi, Syla tregoi se gjatë procesit gjyqësor kishte marrë një mesazh nga dy fëmijët, të cilët kishin shprehur dëshirën që një rrobë me emrat e tyre t’i dërgohej te varri i nënës.
Kërkesa e tyre ishte realizuar dhe fotografitë e rrobës së vendosur te varri i Liridonës u ishin dërguar fëmijëve.
Avokati rrëfeu se momenti e kishte prekur thellë, duke treguar se gjatë procesit kishte ndier përgjegjësi të madhe ndaj dy fëmijëve dhe pritjeve të tyre për drejtësi.
Ai tregoi edhe për takimin me njërin prej fëmijëve, Dionin, pas shpalljes së vendimit në shkallë të parë. Sipas Sylës, vogëlushi e kishte falënderuar, duke e njohur si avokatin e nënës së tij dhe të vetin për çështjet në Suedi.
“U kaplova nga lotët, por u kurseva nga sytë e tij. Nuk kisha mundësi të bëja më shumë sesa ta përqafoja fort e t’i përkëdhelja kokën e ëmbël”, ka shkruar Syla.
Pas konfirmimit të vendimit në shkallë të dytë, avokati shprehu shpresën që Dioni dhe Diari të kenë mundësi së shpejti të afrohen edhe fizikisht me varrin e nënës dhe t’i vendosin lulet që, sipas tij, i kishin përgatitur prej kohësh.
Në reagimin e tij, Syla falënderoi gjyqtarët, Prokurorinë, hetuesit policorë, ekspertët dhe të gjithë profesionistët e përfshirë në rast. Mirënjohje shprehu edhe për mediat, gazetarët dhe shoqërinë civile, për mënyrën se si e kishin përcjellë këtë proces.
Ai e cilësoi rastin si dëshmi se askush nuk është i paprekshëm nga zbatimi i ligjit dhe theksoi se lufta për drejtësi duhet të vazhdojë.
“Lufta për drejtësi duhet dhe do të vazhdojë. Kjo kauzë ju bëftë dritë e përjetshme Liridonës, qetësi shpirtërore dy engjëjve e familjes së saj”, ka shkruar ndër të tjera Syla.