Megjithë dyshimet në rritje për ngadalësimin e ekonomisë më të fortë të Evropës, hekurudhat gjermane kërkojnë punëtorë të rinj, të cilët po e kanë të vështirë t’i gjejnë.
Sipas vlerësimeve të tanishme, kompania do të duhet të zëvendësojë gjysmën e 200,000 punonjësve të saj gjatë pesë viteve të ardhshme.
Martin Seiler, kreu i burimeve njerëzore në Hekurudhat gjermane, shpjegoi se deri në fund të vitit 2019 kompania duhet të punësojë më shumë 24,000 punonjës të rinj, përcjell reporteri.net.
Menaxhmenti pret që numër i njejtë i punëtorëve do të duhet zëvendësuar edhe vitin e ardhshëm. Hekurudhat gjermane aktualisht po kërkojnë shofer të trenave, staf të shërbimit të IT’së, inxhinierë dhe elektricistë.
Drejtuesit e trenave pagën mesatare vjetore e kanë prej 38,000 euro, por ndonjëherë kjo shumë mund të arrijë në 50,000 euro.
Të ardhurat e përcjellësit variojnë nga 34,000 euro në 46,000 euro në vit, ndërsa punonjësit e restoranteve hekurudhor fitojnë nga 33,000 deri në 37,000 euro në vit.
Stafi i shërbimit të klientit fiton të ardhura vjetore midis 34,000 dhe 46,000 euro, dhe këshilltarët e udhëtimit dhe shitësit e biletave mund të fitojnë rreth 39,000 në vit.
Punëtorët e ndërtimit të hekurudhave bëjnë mesatarisht deri në 42,000 euro në vit, dhe pagat e tyre varen nga përvoja e punës dhe pushimet, fundjavat dhe ndërrimet e natës.
Teknikët e kontrollit dhe të sigurisë fitojnë pagën më të lartë vjetore që mund të arrijë deri në 52,000 euro, dhe rreth kësaj shume shkon të ardhurat e dispeçerëve përgjegjës për kontrollin e rrugës hekurudhore. /reporteri.net