×
  • Sport
  • Sport

    Lajm i mirë: Kosova me 3 klube në garat e UEFA-s

    Reporteri
    17 Maj 2019 | 20:05

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Sekretari Përgjithshëm, Eroll Salihu, po marrin pjesë në takimin dyditor të presidentëve dhe sekretarëve të federatave kombëtare në Budapest, nën organizimin e UEFA-s.


    Gjatë këtij takimi tejet të rëndësishëm është diskutuar për garat e UEFA-s në nivel klubesh. Me këtë rast, drejtuesit e UEFA-s i kanë informuar 55 anëtaret e saj për takimet e zhvilluara nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s me Shoqatën e Klubeve Evropiane (ECA) dhe Ligat Evropiane, të zhvilluara gjatë muajve mars dhe maj të këtij viti, si dhe për tema tjera mbi të ardhmen e futbollit evropian.

    Ndërkaq, edhe kësaj radhe doli që Budapesti është qytet i cili vazhdimisht sjell lajme të mira për Kosovën, pasi një i tillë vjen edhe kësaj radhe. Në fakt, UEFA, pas kërkesës së vazhdueshme të krerëve të FFK-së ka pranuar që tani e tutje Kosova në garat evropiane të përfaqësohet me tri klube. Edhe pse realisht ende nuk është arritur koeficienti i kërkuar për më shumë skuadra pjesëmarrëse, pas takimit të sotëm që presidenti Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Salihu patën me përfaqësuesit e UEFA-s, këta të fundit kanë pranuar që ta shpërblejnë FFK-në me një klub më shumë në garat evropiane.

    Kësisoj, që nga edicioni i ardhshëm nga kampionati i Kosovës pjesëmarrjen në garat evropiane do ta sigurojnë kampioni, nënkampioni dhe fituesi i kupës. Pa dyshim ky është një lajm i shumëpritur dhe i cili do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e konkurrencës në elitën e futbollit tonë dhe njëherësh do të rrisë edhe nivelin e organizimit në Superligë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!