×
  • Show Time
  • Show Time

    “Big Brother i njerëzve të pa punë”, gazetarët po e shohin dështim përzgjedhjen e banorëve VIP

    Reporteri
    26 Tetor 2021 | 17:16
    Big Brother VIP Albania - Reporteri

    Autor: Linda Ibrahimaj


    5 tetori mblodhi disa prej personazheve të njohura të ekranit në shtëpinë më të famshme të Shqipërisë, Big Brother Albania VIP. Plot 14 konkurrentë VIP nisën këtë rrugëtim 100 ditor, për të luftuar për çmimin e madh prej 100 mijë euro.

    Ndonëse fillimi i lojës ishte më i qetë, tani debatet e nxehta e të ashpra mes banorëve konkurrentë sa vijnë e shtohen dita-ditës, duke mos munguar shpeshherë edhe fjalori vulgarë e banal mes tyre.

    Jemi futur në javën e tretë të këtij spektakli, e ku banorët VIP dalë nga dalë po zbulojnë karakterin e tyre, atë që shumë prej nesh nuk e kemi njohur, duke qenë se jemi ndeshur vetëm me projektet nga karriera e tyre artistike.

    Gazetari Nderim Neziri po e sheh këtë Big Brother VIP, si “Big Brother të njerëzve të papunë”, pasi sipas tij, një pjesë e madhe e tyre janë larg epitetit “VIP”.

    “George Orwell-it në vitin 1949 me gjasë nuk do t’i ketë shkuar në mendje që novela e tij “Nineteen Eighty-Four” do të ishte motiv për jetësimin e një shou televiziv tejet të ndjekur si “Big Brother”. Publiku shqiptar këto javë po ndeshet me “Big Brother VIP”, që mua më duket më tepër si “Big Brother i njerëzve të pa punë”. Shumë nga pjesëmarrësit aty nuk janë aktiv në jetën profesionale dhe larg epitetit “VIP”. Të njohur, por jo aq të njohur sa të përbënin interes publik të jashtëzakonshëm”, thotë Neziri për Gazetën Online Reporteri.net.

    Neziri shton se ato personazhe që realisht janë të famshëm nuk do t’i nënshtroheshin eksperimentit “Big Brother”, e madje sipas tij shumë nga situatat e krijuara në shtëpi janë të montuara.

    “Sigurisht, të famshmit e vërtet kanë kosto tjetër dhe 100 mijë euro nuk do ti nënshtronin para një eksperimenti social siç është “Big Brother”, që gjithashtu bartë me vete risk të madh dhe është “thikë me dy teha”. Shpesh situatat më duken të montuara dhe konform kërkesave të produksionit. Jam tejet i ndjeshëm kur shohë njerëz që përdoren dhe kjo ndodh shpesh në ekran. “Big Brother VIP” ka prodhuar tradicionalisht shumë probleme psikologjike tek personat të cilët e kanë fituar këtë format, madje për fat të keq disa prej fituesve kanë përfunduar keq, pasi pas daljes i janë nënshtruar një presioni të madh mediatik, një vale paragjykimesh e kritikash të pa filtruara”, shtoi ai.

    Një personazh mjaft i përfolur javën e fundit ka qenë edhe këngëtarja nga Kosova, Fifi, e që në drejtim të saj nuk kanë munguar kritikat e ashpra, duke e cilësaur si jo të duhur,e krejtësisht ndryshe nga që e kishin njohur në ekran përmes baladave të dashurisë.

    Për Nezirin, Fifi po tregon një anë krejtësisht të panjohur për publikun nga ana karakteriale, derisa aktoren Monika Lubonja e sheh më shumë si një amvise, pasuar nga Paloma të cilën ai po e sheh më shumë si thashethemaxhie, e jo si një gazetare.

    “E shoh të luhatur në disponim dhe sjellje Fifin, e cila po shfaq një anë krejt të panjohur të karakterit të saj, që publiku ndoshta nuk do të donte ta shikonte. Monika Lubonja më tepër duket amvise e dedikuar sesa një shpirt artisti. Paloma nuk duket ta ketë sensin e gazetares së vërtet, por atë të një gruaje thashethemxhie, ndërkaq Ardit Çuni vërehet se ka një karakter të dyfishtë, pasi kurrë nuk është i njejtë. Banorët e tjerët nuk më ka rënë ti shohë dhe aq dhe nuk përbëjnë ndonjë interes të madh për mua personalisht”, përfundoi ai për Reporteri.net.

    Në anën tjetër, gazetari i cili prej shumë vitesh merret me fushën e shoubizit, Butrint Pasjaqa, karakterin e Fifit brenda shtëpisë së Big Brother po e sheh si të fortë, dhe ajo që i duhet një loje të tillë.

    “Fifin unë sot e shoh si një konkurrente të fortë, e cila ia sjell këtij reality show atë se çfarë kërkohet: zhurmën, problemet, debatet dhe mbi te gjitha shikueshmërinë”, thotë Pasjaqa.

    Sipas tij, sjellja e Fifit është e kuptueshme, pasi presioni aty brenda me karaktere të ndryshme bën që njeriu edhe të eskalojë me raste, por që sipas tij nuk është asgjë me qëllim të keq nga ana e këngëtares.

    “Si çdo person tjetër, edhe Fifi ka momentet e saj 5 minutëshe me nerva, por që në asnjë moment nuk i bën me qëllim të keq të ulë tjetrin apo të ofendojë. E kuptoj presionin e lojës brenda në shtëpi që nuk është normal sikur në jetën reale, andaj cdo eskalim i çdo banori është i arsyeshëm. Publiku jashtë i qete gjykon situatat brenda, por të jesh aty është tjetër gjë”, shtoi Butrinti për Reporteri.net, derisa shtoi se gjesti i disa dy ditëve më parë, ku këngëtarja shfaqet me shkop në dorë, gjest që ka ngjallur edhe debate të ashpra brenda të shtëpisë, nuk e sheh si diçka të mirë, por që sipas tij faji bie mbi produksionin përderisa ia ka lejuar një gjë të tillë.

    “Sa i përket pjesës së shkopit, përderisa Fifi deklaron se ia ka lejuar “Vellau i madh”, mendoj se përgjegjësia bie mbi produksionin. E dimë sa i rreptë është “Big Brother” në thyerjen e rregullave bazike, dhe në qoftëse ky veprim përbën kaq shumë problem e rrezik, nuk besoj se Bigu do e lejonte një gjë të tillë. Kjo është shumë e habitshme nga ana e produksionit. Gjithsesi si veprim në syrin tim e të publikut nuk ka qenë aspak i bukur, e a është bërë me qellim nga Big Brother apo jo, ne nuk mund ta dimë”.

    Për raportin e saj me Granitin, ku fillimisht u nis si vëlla e motër, e më pas ndryshoi nga ana e Granitit, e duke ndryshuar sërish para 3-4 ditëve, në spektaklin e së premtës së kaluar, gazetari Butrint Pasjaqa e sheh si një lojë nga ana e të dy konkurrentëve.

    “Nga ana tjetër “lidhjen” me Granitin e shoh një lojë të mirë të pastër nga ana e të dyve, është diçka që jemi mësuar ta shohim edhe në edicionet e kaluara. Njohja dhe qëndrimi i gjatë atje patjetër mund të rezultojë në histori të tilla”, përfundoi Pasjaqa për Reporteri.net.

    Në anën tjetër, gazetari nga Shqipëria, Andi Vrapi thotë se nuk pret ndonjë sjellje “wow” nga banorët VIP brenda shtëpisë së Big Brother.

    “Nuk besoj se duhet të presim sjellje “wow” brenda shtepisë sepse formati i Big Brother dikton sjellje të caktuara në raport me rolin që banorët kanë në shtëpi. Si rrjedhojë, roli i Monikës është roli i mamasë së shtepis, kjo për një sërë arsyesh. Dhe sjellja e Monikës do jetë sjellje prej mamaje në shtëpi”, tha fillimisht Vrapi.

    Për “lidhjen” e Fifit dhe Granitit, Andi Vrapi thotë se ky raport është i fortë nga ana e këngëtares nga Kosova, derisa Granitin e sheh si “përfitues” në këtë mes, dhe tërheqja e tij nga kjo lojë duke bërë që këngëtarja të dalë nga vetja.

    “Fifi mendoj që ka një lloj raporti emocional me Granitin, e nuk di të them nëse është e nxitur nga produksioni apo jo, dhe ky raport emocional është teper i fortë te Fifi. Këngëtarja është person që atashohet shpejt ndaj dikujt nëse ka një lloj tërheqjeje. Gjëja më normale në botë. Nga ana tjetër, Graniti është perpjekur të “përfitojë” nga ky lloj pëlqimi i Fifit dhe në momentin që ka kuptuar që nuk mund ta vazhdojë më lojen u tërhoq. Në këtë moment Fifi nisi të dalë nga vetja me sjelljen e saj”, përfundoi Vrapi për Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!