×
  • Show Time
  • Show Time

    “Më në fund dasmat nuk e rritën numrin e rasteve, shkaktarin gjejeni vet”, Afrim Muçiqi kritikon Qeverinë për mosdije të menaxhimit të pandemisë

    Reporteri
    21 Janar 2022 | 16:47

    Qeveria e Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të miratojë masat e reja anti-COVID, e të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga nesër.

    Sipas masave të cilat janë bërë të ditura nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, veprimtaria e gastronomisë do të lejohet të zhvillohet deri në orën 21:00.

    Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar Drejtorin e Departamentit të Estradës, Afrim Muçiqi, i cili tha se dasmat nuk ishin shkaktar i rritjeve të rasteve me Covid-19.

    “Më në fund dasmat nuk e rritën numrin, pasi nga data 18 gusht ne nuk kemi pasur funksionuar. Dasmat u mbajtën në Maqedoni dhe Shqipëri, Preshevë, e Mal të Zi, e në Kosovë nuk u mbajtën, numrat e rasteve u rritën, kështu që shkaktarin ta gjejnë ata”, tha fillimisht Muçiqi.

    Gjithashtu, ai tha se do të zhvillojnë takim me MSh-në dhe IKShPK-në, derisa u shpreh se shkaktarin e rritjes së rasteve me Codi-19 duhet ta gjejnë vet ata, duke qenë se sipas tij dasmat nuk janë faktor kryesor.

    “Ne do të takohemi edhe me përfaqësues të MSh-së dhe të IKShP-së, dhe sa i përket departamentit që përfaqësojë, ashtu siç e kam thënë gjithmonë dasmat nuk janë shkaktar për numrin e rritjeve të rasteve. A është mosdije e menaxhimit apo dikund tjetër është problemi, atëherë le ta kërkojnë në brendësi të tyre”, shtoi tutje Drejtori i Departamentit të Estradës për Gazetën Online Reporteri.net.

    Sa i përket hapave të mëtutjeshëm, për organizimin e protestës, Muçiqi tha se ende nuk janë mbledhur të takohen të gjitha departamentet, dhe nuk dihet nëse do të ketë ndonjë të tillë.

    “Sa i përket një proteste, ne do të mblidhemi të gjithë së bashku, dhe do të dalim me një qëndrim për hapat e mëtutjeshëm”, përfundoi Afrim Muçiqi për Reporteri.net.

    Në anën tjetër, Gazeta Online Reporteri.net gjatë ditës ka kontaktuar edhe Petrit Kllokoqin, ku i njëjti tha se i kundërshtojnë këto masa të reja.

    “E kundërshtojmë çdo masë e cila vjen pa prezencën tonë ose pa prezencën e sektorit të cilit ia ndërpren punën ose ia kufizon punën. Dhe njëkohësisht e kundërshtojmë çdo masë e cila nuk e ka në anën tjetër subvencionimin ose përkrahjen ekonomike”, tha ai, derisa shtoi se as nuk janë kontaktuar nga MSh-ja për to.

    Theksojmë se sot është shënuar rekord i ri i rasteve me Covid-19, ku brenda 24 orëve janë shënuar 2,943 raste të reja./Reporteri./net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!