Kryeministri Albin Kurti ditën e diel pas një takimi që zhvilloi me bashkatdhetarët, krejt pjesën tjetër të ditës dhe mbrëmjes ja kushtoi Sunny Hill-it.
Kurti e nisi me pritjen që i bëri në zyrë këngëtares Dua Lipa të cilës i dhuroi lule dhe e falënderoi atë për siç tha përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë.
“U mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin. Kosova shkëlqen ndryshe me Sunny Hill dhe vajzën tonë të artë, Dua Lipa, të cilën sot e prita në Kryeministri. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij”.
“Duan e falënderova për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë. Zëri, muzika e kënga e saj, na kanë bërë shumë më të njohur dhe mirënjohur anembanë. Kontributi që ajo jep për Kosovën është i pamatshëm”.
“Festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit tonë. Pas katër ditë performancë muzikore me emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, është momenti t’u themi faleminderit Duas dhe gjithë ekipit për punën dhe promovimin që i bënë Kosovës. Sunny Hill është edhe dobi për ekonominë lokale, ndërsa sivjet edhe mbështetje ndaj angazhimeve shtetërore për liberalizimin e merituar të vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Kurti, shkruan Reporteri.net.
Ndërsa në mbrëmje Kurti mori rrugën drejt Gërmisë ku bëri foto e video në natën e fundit të Sunny Hill.
Ai përmes telefonit të tij e ka incizuar atmosferën që ka mbizotëruar të dielën në “Parkun e Gërmisë”.
Më pas kryeministri Kurti ka hyrë në mesin e njerëzve për ta shijuar atmosferën e krijuar.