Autor: Xhezair Dashi
Ish-Presidenti i entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Dragan Çaviç, ka thënë se frikësohet nga një konflikt mes serbëve në “Republika Srpska” (RS) si pasojë e rezultateve zgjedhore kontraverze, ku të dyja palët shpallin veten fitues, përkatësisht kampi i Milorad Dodikut dhe ajo e Jelena Triviç, raportoi mediumi boshnjak “Klix”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Në Republikën Srpska, me pjesëmarrjen e madhe të KQZ-së dhe të huajve është e mundur një krizë e rëndë politike dhe konfrontim midis blloqeve politike kundërshtare, kjo çon në inkandeshencë dhe kur kalon në një sferë krejtësisht politike, atëherë janë të mundshme edhe sfera të tjera. Kam frikë nga një konflikt mes serbëve dhe serbëve, sepse askush nuk do të pranojë në heshtje shkeljen flagrante të ligjit”, tha ish-presidenti i RS-së, Dragan Çaviç.
Çaviç tha se ai filloi të angazhohej në politikë në vitin 1997 sepse e kishte të qartë se një konflikt po kërcënonte për shkak të “konfrontimit të ashpër politik midis pjesëve perëndimore dhe lindore të RS-së përmes aktorëve politikë nga SDS”.
“Situata është shumë e ngjashme me atë të vitit 1997. Në atë kohë, të huajt ishin shumë të përfshirë. Vetëm aktorët ishin në anë të ndryshme,” shtoi ai.
I pyetur nëse po fliste për një konflikt të mundshëm mes serbëve, Çaviç u përgjigj: “Gjithçka mban erë të tillë”.
Në fillim të verës 1997, shpërtheu një luftë për pushtet midis fraksioneve rivale të udhëheqjes së entitetit të RS, përkatësisht, presidentes së entitetit Biljana Plavshiç dhe anëtarit të Presidencës së BeH-së, Momcilo Krajishnik, përndryshe bashkëpunëtor i ngushtë i Radovan Karaxhiçit.
Lufta filloi kur Plavshiç vendosi të shpërndajë Asamblenë Kombëtare të RS dhe të shpallë zgjedhje të reja në nëntor 1997.
Çfarë ka thënë Milorad Dodik për zgjedhjet?
Partia e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) nuk pranon përsëritjen e zgjedhjeve në ‘Republika Srpska’, ka thënë kryetari i kësaj partie dhe lideri nacionalist serb, Milorad Dodik, raporton gazeta online Reporteri.net.
Përsëritjen e zgjedhjeve ngaqë rezultati për President/e të ‘Republika Srpska’-s është kontestuar, Dodik e ka quajtur “kolaps dhe veprim të paligjshëm” të Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje-Hercegovinës.
Në një konferencë për shtyp pas një seance të mbajtur të kësaj partie, Dodik tha se zgjedhjet e përgjithshme të 2 tetorit ishin legjitime dhe ligjore.
Kontestimin e këtyre rezultateve, Dodik e quanti “manipulim”, që sipas tij, “përmes vendimeve të paligjshme, synohet të krijohet një shtet tjetër”.
Madje ai bëri lidhje me partive opozitare me KQZ-në e BeH-së.
“Repbulika Srpska duhet të kuptojë se kjo është pika e fundit në luftën për stabilitet”, ka thënë Milorad Dodik, raportoi televizioni publik i entitetit serb të BeH-së.
KQZ ka qenë në mëdyshje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnje-Hercegovinës ka urdhëruar hapjen e kutive të votimit në Sarajevë për të rinumëruar votat për Republikën Sërpska, për nivelin e presidentit dhe atë të nënpresidentit.
Gjashtë anëtarë të Komisionit kanë votuar në të mirë të vendimit dhe vetëm një ka qenë kundër.
“Në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnje ka shqyrtuar disa ankesa dhe ka pasur qasje në të dhëna dhe video-materiale. Procesi zgjedhor është aq i kontaminuar saqë nuk është e mundshme që të vërtetohet rezultati i saktë”, ka thënë presidenti i këtij Komisioni, Suad Arnautoviç.
Çfarë ka thënë Triviç?
Jelena Triviç, kandidatja e opozitës për presidente të RS, ka folur në një konferencë për shtyp në Beograd dhe ka thënë se nuk do ta njohë vjedhjen dhe grabitjen e zgjedhjeve që ka pasur në të gjitha nivelet.
“Ne u zgjodhëm dy herë, njëra ishte rruga e ligjshme, tjetra ishte protestë, ne donim të tregonim se nuk jemi ne ankuesit, populli nuk e duron, nuk do të pranoj vjedhjen, grabitjen dhe mafien. dhe nuk do të tërhiqem nga kjo”, ka thënë Triviç.
Ajo shtoi se ata që janë autorë të shkeljes së vullnetit të popullit kanë një punëdhënës nga lart dhe tha se ajo nuk është e rëndësishme në gjithë këtë, por e ardhmja e RS është e rëndësishme.
“Këtu nuk është vetëm çështja se kush do të jetë presidenti i RS-së, por nëse RS do të jetë një shtet mafioz”, theksoi Triviç dhe shtoi se çfarë mund të pritet më pas “nëse e fitoni pushtetin përmes grabitjes së zgjedhjeve”.
Ajo iu referua, siç thotë ajo, protestave masive në Banja Luka dhe tha se qeveria ka frikë nga populli dhe “e di se populli nuk do t’i dojë”, si dhe se ata që provokohen nga kjo minimizojnë rëndësinë e protestave duke paraqitur disa shifra që janë “qartë gënjeshtër”.
“Procesi zgjedhor u krye në kushte antikushtetuese dhe në mënyrë të paligjshme. Ne po luftojmë që njerëzit të votojnë lirisht. Ne do ta çojmë këtë proces deri në fund”, tha në fund Triviç./Reporteri.net/