Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë “të gjatë” me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, kjo pak pas vendimit të serbëve të Kosovës për t’u larguar nga të gjitha institucionet e vendit.

Vuçiq është ankuar te Hill për siç ka thënë “tmerrin që po e përjetojnë serbët në Kosovë dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës” të cilat Vuçiq thotë se vënë në “pikëpyetje sigurinë e tyre dhe stabilitetin e gjithë rajonit”.

“Në një bisedë të gjatë dhe kuptimplotë telefonike me ambasadorin Hill, ritheksova se Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes, respektimin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, por theksova edhe tmerrin e serbëve me sjelljen e Kosovës, dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, të cilat vënë në pikëpyetje sigurinë e tyre dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, ka shkruar Vuçiq.

Reklamë

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq tha se këto vendime për largimin dhe pezullimin e institucioneve mbeten në fuqi deri në momentin që “Prishtina të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e dakorduara në Bruksel”.

Rakiq ka kërkuar pezullimin e vendimit për targa dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, tha Rakiq.

Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit në qeverinë e Kurtit. /Reporteri.net

Reklamë