×
Opinione

Pak fjalë për serbët që kanë pranuar targat e Republikës së Kosovës

Reporteri
11 Nëntor 2022 | 16:37

Autor: Shkodran Ramadani


Se Serbia i shpallë tradhtarë dhe i kërcenon me vrasje të gjithë serbët që bashkëpunojnë me Kosovën është tashmë mirë e ditur dhe e dëshmuar. Kështu po bën edhe me ata serbë që i kanë pranuar targat e Republikës se Kosovës.

Por sot Kosova në atë pjesë nuk ka polici e nuk ka gjykata për të kapur kryerësit e veprave dhe nuk ka me çfarë t’i mbrojë. Fatkeqësisht, ata janë lënë nën mëshiren e bandave kriminale, strukturave paralele dhe shtetit shovenist serb.

Pyetja për ne është: cili është mesazhi ynë për serbët që pranojnë integrimin e tyre në Kosovë? Që neve nuk na intereson fare për ata? Nën këtë klime kërcënuese e ngulfatëse, dorëzimi i tyre dhe bashkimi i forcave me Listën Srpska është vetëm çeshtje kohe.

Derisa krejt vëmendja jonë është fokusuar në elementet destruktive serbe në veri, serbët që kanë pranuar targat tona i kemi lënë në harresë. Fuqizimi i serbëve lojale ne veri, sado pak të jenë në numër, ka qenë dhe është në interes të Kosovës. Bashkëpunimi me ta është krucial në përpjekjet e shtetit të Kosovës për integrimin e tyre të plotë, jo vetëm në institucione, por në të gjitha aspektet shoqërore.

“Dialogu i brendshëm me ta” ka qenë një premtim i mirë i Albin Kurtit. Pak muaj më parë ai i ftoi serbët që të ndërrojnë targat. Një pjesë e tyre iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të bërë një gjë të tillë. Por, derisa ky veprim në një kuptim është një lloj besnikërie ndaj Kosovës, ai një tjetër kuptim është edhe tradhti ndaj strukturave paralele.

Si të tillë, ata përbëjnë një aset të vlefshëm të cilin Kosova duhet ta mbrojë më mirë sesa tani. Me një kujdes të shtuar politik, ne mund ta rrisim numrin e këtij grupi te serbëve.

Ashtu siç po i dështojnë premtimet për ruajtje të sovranitetit dhe kultivim të shëndoshë të aleancës me Amerikën, Albin Kurtit po i dështon edhe premtimi për t’i mbrojtur serbët bashkëpunues nga Strukturat Paralele.

Edhe pse realiteti i tanishëm nuk ka qenë synim i Albin Kurtit, ai bart një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë për pasojat që bien mbi këta serbë. Mban përgjegjësi sepse premtimet e mira të realizuara keq shumë shpesh minojnë vetë premtimet, duke arritur rezultate krejt të kundërta me idenë fillestare.

Ngjashëm me premtimet tjera, edhe ky premtim në praktikë është duke marrë një trajtë krejt tjetër nga ajo që është menduar në fillim. Stigma e tyre si tradhtarë te kombit serb e ka eklipsuar vullnetin e tyre konstruktiv për integrim në Kosovë. Kur e merr një iniciativë të cilën nuk mund ta realizosh dhe me pas ngulë këmbë në të pa pasur force për ta zgjidhur, gjërat fillojnë te shëmtohen.

Kjo është e ngjashme me një situatë pengmarrjeje. Policia që ndërhyn me qëllim të mirë, por me planifikim dhe ekzekutim të dobët, prodhon fatalitet për pengjet. Komandanti nuk mund të thotë thjesht “patem vullnetin e mirë, por nuk ia dolëm”. Pengmarrësit gjjthsesi janë fajtorët kryesorë, por edhe policia e ka përgjegjësinë e vet. Në rastet më të rënda, komandanti që planifikon edhe ekzekuton keq ndërhyrjen dënohet ose dorëhiqet. Në raste më të lehta, komandanti nuk mund të konsiderohet si i zoti në detyrën e vet.

Serbët që kanë ndërruar targat sot janë pengje të regjimit fashist serb. E sa më shumë të zgjatë kjo gjendje, rriten edhe gjasat që nga djegia e veturave, të kalohet në shuarje të jetës së njerëzve, zanat të cilin Serbia e njeh mirë. Ata janë lloj i rrezikuar i serbëve, sidomos në veri. Prandaj duhet të kemi më shumë kujdes se si sillemi me ta.

Kjo neve do të na humbiste edhe ata pak bashkëpunetorë në atë pjesë të vendit, duke i zbehur edhe më shumë gjasat që një ditë kjo pjesë e vendit të jetë rajon normal. Përkundrazi, me këtë rast “Rojat e Ibrit” do të bllokonin të gjitha urat që japin shans për raporte normale ndër-etnike. Por, këtë here me vullnetin tonë të plotë dhe nën zhurmën e daulleve shurdhuese patriotike.

*Autori është politolog dhe studiues i sociologjisë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!