×
  • Lajme
  • Lajme

    Krerët e shtetit nënshkruajnë aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian: Ditë historike

    Reporteri
    14 Dhjetor 2022 | 11:14
    Kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca

    Krerët e shtetit, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, shkruan Reporteri.net.

    Ceremonia është duke u mbajtur në këto momente dhe ata pritet të kenë edhe deklarime pas dhënies së nënshkrimit.

    Presidentja Osmani e quajti këtë ditë historike.

    “Ky është moment historik. Sot nënshkruam aplikimin për në BE  e në anën tjetër po festojmë 4 vjetorin e themelimit të ushtrisë së Kosovës. Të dyja këto ngjarje historike që shkojnë në drejtim të realizimit të misionit tonë euroatlantik. Së bashku në emër të Republikës dhe qytetarëve të saj po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës tonë kolektive dhe ambicies sonë të patjetërsueshme. Ne jemi sot së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër BE-së. Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër. Por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet, e ambiciet bëhen të prekshme vetëm kur punohet. Në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve tonë. Procesi në tërësi është jetëgjatë, por ne jemi të përkushtuar që ta bëjmë me sukses. Në këtë rrugë ne do të jemi një partner i besueshëm”, tha ndër të tjera Osmani.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se tha se ky është hapi i parë drejt rrugës së Kosovës për anëtarësim në këtë union. Ai është shprehur optimist që kjo të ndodhë në një periudhë jo shumë të gjatë.

    “Sot është ditë me të vërtetë e rëndësishme në vendin tonë. Për Kosovën dhe gjithë rajonin anëtarësimi në këtë union është me të vërtetë i veçantë sepse Bashkimi Evropian ofron stabilitet, demokraci, siguri e prosperitet zhvillimor. Një union i cili me të vërtetë e stimulon rritjen ekonomike të popujve dhe mirëqenien e tyre. Ky është hapi i parë zyrtarë në rrugën e anëtarësimit drejt BE-së, një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë. Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian përmes të cilit presim tia rekomandojë BE-së. Ne e meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe synojmë që këtë ta arrijmë në një kohë sa më shpejtë të mundshme”, tha Konjufca.

    Ai tutje iu bëri thirrje institucioneve të BE-së që ta pranojnë aplikimin e Kosovës dhe ta përkrahin atë.

    “Për këtë arsye e ftojmë Parlamentin Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshillin e BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, duke e miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe të na inkurajojnë të gjithëve për t’i marrë reformat për përparimin e Kosovës, që e kanë kuptimin e interesit për qytetarët dhe jo për politikanët. Ta forcojmë sigurinë ne Evropë”, tha Konjufca. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!