×
  • Lajme
  • Rajon

    Takimi i 27 shkurtit në Bruksel, Vuçiq thotë se e di çka e pret: Me Kurtin nuk ka shumë biseda

    Reporteri
    21 Shkurt 2023 | 23:39
    Takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq në Bruksel. Fotografi nga arkivi.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për pritshmëritë e tij lidhur me takimin e 27 shkurtit me kryeministrin Kurti në Bruksel, takim ky i thirrur nga Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

    Vuçiq ka thënë se nuk pret që ky takim të jetë edhe aq frytdhënës, pasi, sipas tij, me kryeministrin Kurti “nuk ka shumë biseda”, raportojnë mediat serbe, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Me Kurtin nuk ka shumë biseda. Ai njeri menjëherë fillon të flasë për Slobodan Milosheviqin, vuajtjet e tij…, nuk e di, Adem Demaçin… Atëherë e kuptoni se ai ka mbetur prapa në atë kohë, dhe kaq…”, tha Vuçiq.

    Vuçiq ka shtuar se në takimin e 27 shkurti në Bruksel sigurisht do të flitet për formimin e Asociacionit dhe, siç tha ai, “për këtë do të duhet të flasin edhe përfaqësuesit evropianë”.

    Ndërkaq theksoi se Kurti do ta përcjellë të njëjtën narrativë që e ka përdorur deri tash.

    “E di, Kurti do të shkojë me tregimin – po, po, unë pranoj gjithçka, por Serbia do të duhet të pranojë gjithçka… Dhe kështu… I kam parë të gjitha ato marifete të panumërta, kështu që kjo do të jetë taktika ime. I kam ndjekur të gjitha ato biseda kaq herë, më shumë se të gjitha së bashku. Edhe po të isha budallai më i madh në botë do të përgatitesha shumë. Them se nuk jam tamam njeriu më budalla në botë…”, tha Vuçiq.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur në takim të nivelit të lartë më 27 shkurt, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, bëhet e ditur në komunikatën e Bashkimit Evropian. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!