×
  • Lajme
  • Rajon

    Presidenti Gjukanoviç shpall kandidaturën për një mandat të tretë

    Reporteri
    25 Shkurt 2023 | 19:04

    Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, shpalli të shtunën zyrtarisht kandidaturën për një mandat të tretë në zgjedhjet presidenciale muajin e ardhshëm. Ai ka mbajtur poste të larta politike për 30 vitet e fundit.

    Zgjedhjet e 19 marsit do të mbahen ndërsa vendi është përfshirë nga një ngërç politik njëvjeçar me dy vota mosbesimi për dy qeveri dhe mosmarrëveshje midis ligjvënësve dhe zotit Gjukanoviç për emërimin e një kryeministri të ri të emëruar.

    Relievi politik në Mal të Zi është ndarë prej kohësh në forca pro-malazeze, ku bën pjesë Partia Demokratike e Socialistëve e zotit Gjukanoviç dhe ato pro-serbe dhe pro-ruse.

    Posti i presidentit është kryesisht ceremonial në Mal të Zi, por një fitore e zotit Gjukanoviçit mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme parlamentare pas zgjedhjeve presidenciale sepse ai ka refuzuar deri tani kandidatët e propozuar për postin e kryeministrit.

    “Po hyj në garën zgjedhore me synimin për të fituar shpejt dhe bindshëm,” tha zoti Gjukanoviç të shtunën ndërsa paraqiti kandidaturën e tij pranë autoriteteve zgjedhore.

    “Mali i Zi është plotësisht i paralizuar për të bërë përpara në rrugën evropiane dhe kjo agoni duhet të ndalet sa më shpejt të jetë e mundur,” tha presidenti Gjukanoviç, i cili e udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë nga bashkimi Serbi-Mali i Zi në 2006, siguroi anëtarësimin në NATO dhe e vendosi atë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Kundërshtarët akuzojnë zotin Gjukanoviç dhe partinë e tij për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza që zoti Gjukanoviç dhe partia e tij i mohojnë.

    Komisioni shtetëror zgjedhor ka miratuar tashmë dy kandidatë të tjerë presidencialë – Andrija Mandic nga partia etnike serbe Demokracia e Re Serbe dhe Draginja Vuksanovic Stankoviç i Partisë Social-Demokratike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!