Ka përfunduar takimi mes të dërguarit të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Pas takimit me Escobarin, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, Vuçiqi shkroi se me të pati një bisedë të hapur dhe korrekte, përcjell gazeta online Reporteri.net.
I njëjti tha se beson që raportet mes ShBA-ve dhe Serbisë do të përmirësohen.
“Besoj në përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, shkroi Vuçiq në rrjete sociale.
Ndërsa në komunikatën e Presidencës së Serbisë, thuhet se është diskutuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve përmes kompromisit dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian”.
“Presidenti Vuçiq përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.
Pas Serbisë, emisari Escobar pritet ta vizitojë edhe Kosovën. Kështu ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net.
Kjo vizitë e emisarit evropian vjen disa ditë para takimit të nivelit të lartë në Ohër, ku Kurti dhe Vuçiqi, nën ndërmjetësimin e emisarit Miroslav Lajçak, kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, si dhe vetë Escobarit, do të diskutojnë mbi arritjen e një dakordimi për zbatimin e marrëveshjes së pranuar në Bruksel, më 27 shkurt.
Takimi Kurti-Vuçiq do të mbahet të shtunën e 18 marsit, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. /Reporteri.net/.