Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një adresim para qytetarëve të Beogradit, tha se “nuk planifikon të nënshkruaj asgjë” në takim me kryeministrin Kurti në Ohër.
Vuçiq tha se “ende nuk kemi marrë një draft se çfarë dëshiron BE-ja” në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporton N1, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Ne kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët e kanë dorëzuar të tyren, ende nuk kemi marrë asgjë nga Brukseli”, tha Vuçiq në fjalimin e tij para qytetarëve.
Ai shtoi se do të jetë i pari që do të zbulojë detajet e draftit kur të arrijë dhe deklaroi se nuk i ka “fshehur kurrë planet”.
“Asnjëherë nuk kam fshehur asnjë shkronjë apo fjalë”, ka thënë presidenti i Serbisë.
Ai tha se ditët e fundit është konsideruar se çfarë është e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve, duke theksuar se për të “kjo nuk është një eufemizëm për njohjen e Kosovës, de facto apo de jure”.
“Për mua, normalizimi është të kemi marrëdhënie më të mira me shqiptarët se sot, të zgjidhim problemet e panumërta që kemi dhe të përpiqemi të jetojmë sa më shumë bashkë, e sa më shumë që të mos jetë – pranë njëri-tjetrit”, tha ai. /Reporteri.net/.