Avdullah Hoti, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit njohës i ekonomisë, i është kundërpërgjigjur deklaratës së ministrit Hekuran Murati, i cili fajësoi LDK-në për rritje të çmimeve në Kosovë pasi këta e dërguan në Gjykatë Kushtetuese ligjin për çmimet tavan.
Sipas Hotit, rritja e çmimeve nuk mund të kufizohet me ligje, por edhe nëse do ishte e mundur, kjo tha se bëhet vetëm në sisteme komuniste, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Po të mund të kufizohej me ligj rritja e çmimeve në ekonominë e tregut, sigurisht se gjermanëve, amerikanëve, britanezëve, e shumë të tjerëve që kanë ekonomi tregu, do u kishte ra ndërmend deri më tani”, shkroi Hoti.
“Në fakt, po, inflacioni mund të kufizohet me ligj, por vetëm në sistemet komuniste”, tha tutje.
Ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, tha të hënën se LDK ka ndikuar në rritje të çmimit të vajit dhe miellit pasi e ka dërguar në Kushtetuese ligjin për çmimet tavan, që do ta përcaktonte një ‘tavan’ për çmime të produkteve bazë në treg.
“Ligjin për çmimet tavan, LDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese. Prandaj qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë se që do duhej për vaj, miell e bukë”, tha Murati. /Reporteri.net/.