Deputetja Jeta Statovci ka mohur se ka lidhje familjare me kryeshefin e ri të zgjedhur të “Trainkos”, Agron Statovci.
Në një bisedë për gazetën online Reporteri.net, Statovci tha se nuk ka asnjë lidhje familjare me personin e apostrofuar, përvec mbiemrit që e kanë të njejtë.
Në media është raportuar se Agron Statovci është djali i xhaxhait të deputetes Jeta Statovci.
“Vetëm mbiemri na lidhë”, tha deputetja e “GUXO” për Reporteri.net, duke mohuar ndonjë lidhje familjare me të.
Më 5 prill të këtij viti, Agron Statovci e shpërndau një paralajmërim për një paraqitje televizive të Jeta Statovcit dhe ministres Artane Rizvanolli me mbishkrimin “Jeta&Artana e Kosovës”.
Ministria e Ekonomisë, që udhëhiqet nga Artane Rizvanolli, mban përgjegjësi mbi punën e TrainKos’it. Më 12 prill, ministrja Rizvanolli i kishte propozuar emrat për emërim në bordin e ndërmarrjes, të cilët votuan sot për emërimin e Agron Statovcit kryeshef të saj.
Raportohet se Statovci është emëruar kryeshef i ri i ‘TrainKos’-it me vendim unanim të bordit drejtues në detyrë të ndërmarrjes. /Reporteri.net/.