Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se KEK-u është keqmenaxhuar, dhe se kjo i ka kushtuar shumë buxhetit të shtetit.
Zemaj tha se shqetësimet ndaj keqmenaxhimit me buxhet në KEK i kanë ngritur qysh vitin e kaluar, kur edhe doli nga funksioni blloku A5, dhe se dëshmitë i kanë ndarë edhe me Komisionin Hetimor, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas tij, A5-shi doli nga përdorimi qëllimisht, me ndërhyrje të disa këshilltarëve politikë.
“Por në aspektin e menaxhimit ne kemi ngrit këto shqetësime qysh në vitin e kaluar, kur nuk ka funksionuar blloku A5… Edhe atëherë, edhe në Komisionin Hetimor që është bërë kemi pasë fakte që kjo është ndërprerë me këshillat e disa këshilltarëve politikë, të cilët nuk kanë pasë kompentencë menaxheriale dhe menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës duke i marrë këto këshilla dhe duke i ndërprerë këto tenderë atëherë dëmi është bërë milionësh i Kosovës”, deklaroi deputeti në RTV Dukagjini.
Deputeti opozitar tha se për të blerë energjinë e nevojshme, Kosova çoi dëm miliona euro.
“Duke blerë energji, ku brenda ditës ndoshta është dashtë 150 mijë euro dhe brenda muajit më shumë se 4 milion e gjysmë… Ne kemi thënë që Kosova, buxheti i Kosovës, për shkak të këtij keq-menaxhimi ka paguar miliona e miliona euro”, ka thënë Zemaj.
Kryeshefi ekzekutiv, Nagip Krasniqi, u arrestua dhe i njëjti u pezullua nga bordi për dallavere në KEK. Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Avokati i Nagip Krasniqit, Taulant Ferizi, ka thënë se nuk është shkaktuar asnjë dëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), pasi sipas tij, nuk është ekzekutuar asnjë prej kontratave për të cilat Krasniqi është në paraburgim. /Reporteri.net/.