Shefi i policisë së Beogradit Veselin Miliq ka bërë të ditur në një konferencë për media se 14 vjeçari që vrau tetë shokë të shkollës së tij dhe rojën e shkollës kishte planifikuar vrasjen prej një muaj ku kishte listuar edhe personat që do t’i vriste.
Ai tha se në orën 08:40, zëvendësdrejtori i shkollës thirri shërbimin e urgjencës për të raportuar të shtënat, ndërsa vetë autori thirri policinë vetëm dy minuta më vonë, në orën 8:42 të mëngjesit, duke pranuar atë që kishte bërë.
Shefi i policisë së Beogradit në konferencë për media tha se 14 vjeçari planifikoi krimin prej një muaj dhe kishte një listë të personave për likuidim.
“Kam qenë në mijëra hetime, kjo është e padëgjuar në shoqërinë serbe. Sipas të dhënave të mbledhura deri më tani, fëmija kishte kohë që planifikonte ngjarjen, pistoletat i kishte marrë nga banesa e babait të tij, e me vete kishte edhe kokteje të molotovit. Fillimisht ka qëlluar një roje të shkollës e pastaj nxënësit, dhe në fund ka lajmëruar vetë policinë”, ka thënë kryepolici i kryeqytetit serb.
“Siç tha ai vetë, kjo ishte një listë e fëmijëve që kishte në plan t’i likuidonte. Ai kishte përgatitur një plan për hyrjen dhe daljen nga shkolla. Siç tha ai vetë, ai kishte prioritet objektivat. Kjo u gjet në tavolinën e tij. Skica duket si diçka e video lojërave ose filmave horror. Kishte shkruar se dhe cilin fëmijë do ta likuidonte. Ai kishte shkruar numrin e fëmijëve që do të ekzekutonte për secilën klasë veç e veç”, tha shefi i policisë së Beogradit. /Reporteri.net