Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka biseduar në telefon me këshilltarin special në Departamentin e Shtetit Amerikan, Derek Chollet.
Sipas raportimit të mediave serbe, temë e diskutimit ka qenë Kosova, bashkëpunimi dypalësh SHBA-Serbi si dhe situata në rajon.
”Vuçiq dhe Chollet, u pajtuan se marrëdhëniet serbo-amerikane po zhvillohen në një drejtim të mirë, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, siç dëshmohet nga rritja e shkëmbimeve tregtare, njoftoi shërbimi për bashkëpunim me mediat i Presidentit të Serbisë”, specifikon Tanjug, përcjell Reporteri.net.
Siç raporton media serbe Vuçiç vuri në dukje se fluturimet e Air Serbia midis Beogradit dhe Çikagos, të nisura më herët gjatë ditës, do të rrisin më tej lidhjet Serbi-SHBA.
Chollet tha se ishte e nevojshme të shmangeshin provokimet dhe konfliktet dhe se ishte e rëndësishme të vazhdohej të punohej për normalizimin, shkruan Tanjug./Reporteri.net./