Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ardhur sot nga Haga në Kosovë. Ai ndodhet në vendlindjen e tij në Burojë, tek shtëpia e prindërve.
Arsyeja e ardhjes së Thaçit në Kosovë është për të vizituar nënën e tij, e cila ditë më parë kishte disa probleme shëndetësorë dhe ishte e shtrirë në spital.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar pamje nga afërsia e shtëpisë së familjes së Thaçit në Burojë, e cila është rrethuar nga masa të ashpra të sigurisë nga pjesëtarët e policisë së EULEX’it. Aty është parë edhe një veturë e Policisë së Kosovës.
Hashim Thaçi në Kosovë ka arritur rreth orës 12:30, merr vesh Reporteri.net. Dhe menjëherë është dërguar për në Burojë. Merret vesh se ish-presidenti është lejuar të takohet vetëm nga afër vetëm me prindërit e tij.
Nëna e ish-presidentit Hashim Thaçi është liruar ditë më parë nga QKUK-ja, ku ishte trajtuar 5 ditë radhazi. Ajo tani është duke u trajtuar nga mjekët në kushte shtëpiake.
Raportohet se në afërsi të shtëpisë së familjes Thaçi në Burojë është vështirësuar edhe komunikimi me mjete elektronike, pasi dyshohet se për shkak të masave të sigurisë është ndërprerë edhe rrjeti i internetit dhe telefonisë.
Ndërkohë që pritet që Thaci sot menjëherë pas vizitës tek prindërit të kthehet mbrapa në Hagë. /Reporteri.net/.