×
Opinione

Konfrontimi i Kurtit me Shtetet e Bashkuara është alarmant

Reporteri
08 Qershor 2023 | 13:54

Autor: Alon Ben-Meir


Shpërthimi i fundit në Kosovën veriore i shkaktuar si rezultat i zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe dhe demonstrata e serbëve etnikë që pasoi ishte e panevojshme dhe shumë për të ardhur keq. Nuk duhej të kishte ardhur në këtë gjendje fatkeqe ku i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lëshoi atë që përbën një ultimatum duke kërkuar që kryeministri Kurti të de-përshkallëzojë menjëherë konfliktin, të zhvillojë zgjedhje të reja dhe të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit ose përndryshe përballen me pasoja.

Kurti duket se e injoron faktin se pa mbështetjen e plotë dhe përkrahjen e ShBA-së dhe BE-së, Kosova nuk ka këmbë aq të forta për të qëndruar në to. Duke sfiduar përpjekjet e ShBA-së dhe BE-së për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Kurti ka treguar miopi të ashpër të cilën duhet ta korrigjojë, sepse ai duhet të mbajë qëndrim të mirë me aleatët e tij më kritikë, të cilët janë të përkushtuar për pavarësinë, mirëqenien dhe sigurinë e Kosovës.

Është një gjë që të mbrohet dhe të ruhet integriteti territorial dhe pavarësia e vendit, ashtu siç edhe Kurti e ka për detyrë ta bëjë; por është tjetër gjë që të fiksohet në katër komuna me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, sikur e ardhmja e Kosovës të varet tërësisht nga nënshtrimi i tyre i pakushtëzuar ndaj qeverisë qendrore.

Zgjedhjet e fundit ofrojnë një shembull të mirë të obsesionit të Kurtit me këto komuna. Serbët etnikë e bënë të qartë gati dy muaj më parë (e drejtë apo e gabuar) se ata synonin të bojkotonin zgjedhjet. Megjithatë, Kurti vazhdoi me zgjedhjet në të cilat votuan vetëm 4 për qind e popullsisë, duke rezultuar në zgjedhjen e katër kryetarëve shqiptarë. Megjithëse teknikisht zgjedhjet ishin të drejta dhe të lira, ato nuk pasqyronin dëshirat e shumicës dërrmuese të popullsisë në këto zona.

Ajo që i bëri gjërat edhe më keq është këmbëngulja e Kurtit që kryetarët e sapozgjedhur të komunave të marrin detyrat e tyre në ndërtesat zyrtare të qeverisë, gjë që e rriti më tej tensionin, duke nxitur demonstrimin e serbëve etnikë. Kurti i hodhi benzinë zjarrit duke dërguar policinë për të shuar demonstratat të cilat u bënë të dhunshme dhe përfunduan duke shkaktuar lëndimin e rreth 50 paqeruajtësve të KFOR-it.

Gabriel Escobar kishte të drejtë të deklaronte se: “Ne po shohim që zgjedhjet po bëhen pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është një sinjal për ne, ne nuk mund të mos e pranojmë këtë si sinjal. Në një moment, kur duam ta rivendosim atë koordinim dhe partneritet me këtë qeveri [Kurti], ne jemi gati. Sepse ne qëndrojmë gjithmonë me popullin e Kosovës, kjo nuk do të thotë se duhet të qëndrojmë me një individ që nuk e ndan atë instinkt për të bashkëpunuar dhe për të koordinuar”.

Kjo, natyrisht, erdhi pas negociatave të gjata për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave, të cilën Kurti refuzoi ta respektojë, megjithëse nuk ka asgjë në marrëveshje, të cilën e kam shqyrtuar me kujdes, që e komprometon pavarësinë e Kosovës në çfarëdo trajte apo forme. Por për Kurtin, i cili është i zellshëm për pavarësinë e Kosovës dhe dyshues edhe për angazhimin e pazbutur të ShBA-së ndaj sovranitetit të Kosovës, ende nuk e pranon atë që ShBA-ja dhe BE-ja duan të arrijnë për Kosovën. Në fund të fundit, nëse Kurti e vendos fatin e Kosovës me Perëndimin, ai duhet të tregojë se është një partner i denjë dhe i besueshëm, tek i cili mund të mbështeten për të luajtur rolin e tij për të ruajtur qetësinë dhe për të bashkëpunuar në çdo mënyrë në procesin e normalizimit me Serbinë.

Kjo nuk do të thotë në asnjë interpretim se ShBA-ja dhe BE-ja favorizojnë Serbinë ndaj Kosovës; përkundrazi. Për ta, Serbia është një palë e rëndësishme në gjithë këtë debakël, ata kërkojnë bashkëpunimin e saj sepse Beogradi ushtron ndikim të rëndësishëm mbi serbët etnikë në Kosovë dhe sepse ata kërkojnë të distancojnë sa më shumë presidentin Vuçiq nga Putini i Rusisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në këtë moment kur lufta e Ukrainës po zhvillohet dhe Putini po bën gjithçka që mundet për të destabilizuar rajonin.

Përmbledhja totale e gjithë këtij zhvillimi fatkeq është se Kurti tani ka pakësuar kontrollin mbi katër komunat, ndërkohë që i frustron aleatët e tij më të vlefshëm deri në një pikë që bëri që ShBA-të ta ndalonte Kosovën nga pjesëmarrja e mëtejshme në stërvitjen mbrojtëse të NATO-s “Defender 23”. Nëse asgjë tjetër, ky episod i trishtuar vetëm e ka distancuar më tej integrimin e Kosovës në BE duke hidhëruar popullatën e saj, mirëqenia e së cilës në të ardhmen është e ndërthurur me BE-në – fakt që Kurti, megjithë përbuzjen e tij të herëpashershme ndaj Perëndimit, duhet të mos e harrojë.

Kryeministri Kurti, i cili i tha CNN-it të martën e kaluar se ai nuk do t’ia dorëzonte vendin një “milicie fashiste” serbe, e keqkarakterizoi plotësisht realitetin në terren. Të thuash më tej se “ne nuk mund të kemi një pakicë të privilegjuar sepse Beogradi po qan për humbjen e Kosovës në vitin 1999 kur NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e regjimit të (Slobodan) Millosheviqit”, është një keqkuptim tjetër i asaj që duhet bërë tani për të zbutur tensionin dhe për të rivendosur marrëdhëniet miqësore dhe të besueshme si me BE-në ashtu edhe me ShBA-në.

Tani është koha që Kurti të zgjohet në realitet dhe të pranojë pa asnjë rezervë tre kërkesat që emisarët e ShBA-së dhe BE-së, Escobar dhe Lajçak, i kanë theksuar qartë. Ai duhet të caktojë menjëherë zgjedhjet e reja, të tërheqë forcat policore për të ruajtur qetësinë dhe të zbatojë Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave pa vonesë të mëtejshme. Në të vërtetë, rivendosja e bashkëpunimit të plotë me ShBA-në dhe BE-në është thelbësore për të ardhmen e Kosovës si vend i pavarur.

Sigurisht, Kurti tani ka mundësinë të tregojë lidership dhe një vizion të qartë se ku dëshiron ta çojë Kosovën. Fati i vendit të tij i takon Perëndimit dhe ai nuk duhet të ndalojë në asgjë për të ushqyer dhe ruajtur me kujdes marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e vetëm tek të cilët mund të mbështetet.

*Dr. Alon Ben-Meir është profesor në pension i marrëdhënieve ndërkombëtare në Qendrën për Çështjet Globale në NYU. Ai mban kurse mbi negociatat ndërkombëtare dhe studimet e Lindjes së Mesme.

Shkrimi i profesorit Ben-Meir është botuar në faqen e tij personale, dhe është përkthyer me lejen e tij nga Klan Kosova

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!