Gjatë qëndrimit në Kosovë të Danilo Vuçiq, djali i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Policia e Kosovës e ka ndaluar dhe i ka hequr bluzën me mesazhe provokuese që ai mbante.
Vuçiq është pyetur nga një gazetar nëse vërtet e kanë ndaluar djalin e tij në Kosovë, dhe ai ka thënë se e kanë bërë edhe në disa raste tjera.
Vuçiq ka thënë se e vlerëson guximin e Kurtit, por ka thënë se “Danilo është më i trim se Kurti”.
“Kjo është puna e tyre. Ndaluan tre herë, kontrolluan makinën, u ngacmuan. Përgëzoj Albin Kurtin për guximin e tij. Nuk është aq trim kur është rreth meje, por kjo është në rregull. Kur dërgojnë të tjerët të veprojnë brutalisht ndaj fëmijëve të tjerëve, kjo është në rregull. Danilo nuk është i vogël, është më trim se Albin Kurti”, ka thënë Vuçiq.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka ndalur veturën ku ishte djali i Vuçiq për t’ia larguar bluzën me mbishkrimin “dorëzimi nuk është opsion”.