×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca

    Kurti në Kuvend refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve të opozitës që s’i kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare

    Reporteri
    06 Tetor 2023 | 11:54

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se nuk do të përgjigjet në pyetjet parlamentare të deputetëve  të opozitës që nuk janë duke i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

    Kurti në seancë tha se për shkak që nuk votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, asnjë nga deputetët që bëjnë pyetje, nuk do të kenë përgjigjen e tij, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare, të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet nuk do ta kenë përgjigjen time edhe pse tashmë i kam të përgatitura. Duhet të jemi kolegë të të njëjtit shtet e jemi kolegë të të njëjtit shtet nëse bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit shtetëror. Nuk ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që është përgjigjur më shpesh e më përpikëri në pyetjet parlamentare. Rrjedhimisht atëherë kur do të jeni deputete e Kuvendit të Kosovës, vetëm atëherë unë do të përgjigjem në pyetje parlamentare”, është shprehur Kurti në Kuvend.

    Partia Demokratike e Kosovës është zotuar se në Kuvendin e Kosovës nuk do të miratojnë asnjë nismë nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, përfshirë këtu edhe marrëveshjet ndërkombëtare. Rezerva kanë shprehur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Kësisoj koalicioni në pushtet nuk po arrin që t’i sigurojë numrat për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Për t’u ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare nevojiten 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

    Këto marrëveshje sipas Ligjit, i dorëzohen Kuvendit me iniciativë të vet ose pas propozimit nga Qeveria. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!