Kasti i komedianëve të famshëm, Fatmir Spahiu, Fatos Kryeziu dhe Donat Qosja edhe këtë ndërrim të viteve do t’iu shoqërojë me komedinë, “Na atje, ata këtu”, në televizionin T7.
Kjo komedi televizive vjen me pjesën e dytë pas suksesit të jashtëzakonshëm vitin e kaluar në T7.
Andaj, interesimi për të parë ngjarjet e zhvilluara është i madh.
Aktori Fatmir Spahiu ka premtuar një realizim të veçantë.
“Marrëdhëniet të trajtuara me humor në mes të njëjtit komb në periudha të ndryshme historike, janë boshti i skenarit. Jam i sigurtë që për një orë shikuesit do t’i harrojnë hallet e vitit”, ka deklaruar Spahiu për “Express”.
Ai ka falënderuar edhe stafin, duke thënë se pas punës së madhe që kanë bërë, edhe ky vit i ri do të kulmojë me rekord shikueshmërie në T7.
“Na atje, ata këtu”, është një arsye e fortë për të qëndruar me programin festiv të T7-shit, i cili do të zgjasë me orë të tëra.
Komedia do të nisë transmetimin nga ora 21:00, për të vazhduar më pas me programin qendror të muzikës me emra të njohur të muzikës shqipe.