Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka folur pas takimit ku ka thënë se e kanë informuar kryeministrin Kurti që Qeveritë e vendeve të QUINT-it në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të Urës së Ibrit.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara …. u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht“, është shprehur Hovenier pas takimit me Kurtin.
Hovenier refuzoi të komentojë mbi arsyet e refuzimit të hapjes.
Ndryshe, ky takim vjen pas polemikave në distancë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se kjo çështje duhet të rregullohet vetëm në dialog, teksa emisari evropian, Miroslav Lajçak, muajin e kaluar kishte rikujtuar se hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja.
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, është pajtuar me një qasje të tillë. Ata kanë rikonfirmuar se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Edhe Gjermania e përkrah BE-në në qëndrimin e saj. Ambasada e Gjermanisë në Kosovës vlerësoi se pavarësisht përpjekjeve të BE-së, ura mbetet e mbyllur për trafik.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së Bashkimit Evropian lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Nga BE-ja thanë se kjo temë duhet të hapet në dialogun Kosovë-Serbi.
Osmani ka reaguar ashpër, duke thënë se Ura e Ibrit nuk është temë që duhet të hapet në dialog. Osmani thekson se presidenti serb nuk duhet të pyetet për çështjen e integritetit territorial të Kosovës.
Osmani i reagon BE’së: Hapja e Urës së Ibrit asesi nuk dialogohet me Serbinë, vetëm me partnerët