Eksporti i mallrave nga Kosova ka mbuluar vetëm 17 për qind të importit gjatë shtatorit 2026, ndërsa deficiti tregtar ka arritur në 534 milionë euro, bëhet e ditur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas ASK-së, deficiti tregtar është rritur për 2,6 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur kishte vlerën 520,5 milionë euro.
Eksporti i mallrave gjatë shtatorit arriti në 109,4 milionë euro, ndërsa importi në 643,4 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, eksporti shënoi rritje prej 27,5 për qind, ndërsa importi prej 6,1 për qind.
Metalet bazë dominojnë eksportin, produktet minerale importin
Sipas grupeve kryesore të mallrave të eksportuara, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, me 24,3 për qind. Pas tyre renditen produktet minerale me 17,1 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10,3 për qind, si dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 10,1 për qind. Artikujt e ndryshëm të prodhuar përbëjnë 6,9 për qind të eksporteve.
Ndërkaq, në strukturën e importit dominojnë produktet minerale, me 19,8 për qind. Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani përbëjnë 11,8 për qind të importeve, mjetet e transportit 11,2 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike 11,1 për qind, ndërsa metalet bazë dhe artikujt prej tyre 10,1 për qind.
BE-ja përbën 43,7 për qind të importeve
Eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 34,2 milionë euro, që përbëjnë 31,3 për qind të eksporteve të përgjithshme. Krahasuar me shtatorin e vitit 2025, eksportet drejt BE-së u rritën për 22,1 për qind.
Partnerët kryesorë për eksport brenda BE-së ishin Gjermania, me 9,8 për qind, Holanda me 2,7 për qind dhe Bullgaria me 2,3 për qind.
Në anën tjetër, importet nga vendet e BE-së arritën në rreth 281 milionë euro, ose 43,7 për qind të importeve të përgjithshme, duke shënuar rritje prej 12,7 për qind. Pjesën më të madhe të importeve nga ky grup e zunë Gjermania me 12,5 për qind, Greqia me 6,5 për qind dhe Italia me 4,4 për qind.
Mbi gjysma e eksporteve shkojnë në vendet e CEFTA-s
Vendet e CEFTA-s përbënin destinacionin kryesor të eksporteve të Kosovës gjatë shtatorit. Eksportet drejt këtyre vendeve arritën në 55,6 milionë euro, ose 50,8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 36,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Partnerët kryesorë për eksport në kuadër të CEFTA-s ishin Shqipëria, me 25,3 për qind, Maqedonia e Veriut me 13,9 për qind, Mali i Zi me 5 për qind dhe Serbia me 4,5 për qind.
Ndërkohë, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 86,7 milionë euro, duke përbërë 13,5 për qind të importeve të përgjithshme. Në këtë kategori u regjistrua rënie prej 1,2 për qind. Maqedonia e Veriut përbënte 6,2 për qind të importeve, ndërsa Shqipëria dhe Serbia nga 3 për qind secila.
Kina dhe Turqia, burime të rëndësishme të importeve
Eksportet e Kosovës drejt vendeve jashtë BE-së dhe CEFTA-s arritën në 19,6 milionë euro, ose 17,9 për qind të eksporteve të përgjithshme. Partnerët kryesorë për eksport në këtë grup ishin Zvicra, me 8 për qind, dhe Turqia me 3,6 për qind.
Ndërkaq, importet nga këto vende arritën në 275,7 milionë euro, duke përbërë 42,8 për qind të importeve të përgjithshme. Kina ishte partneri me pjesëmarrjen më të madhe në këtë grup, me 15,2 për qind, e pasuar nga Turqia me 10,5 për qind.
Të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për shtatorin 2026 janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës më 23 tetor 2026.



