×
  • Extra
  • Extra

    Pagoi 2 euro për kafen, thërret policinë dhe lokali gjobitet me 1000 euro

    Reporteri
    22 Maj 2022 | 17:48

    Një burrë italian ishte aq i pakënaqur me çmimin e kafes në një lokal, saqë thirri edhe policinë. Pasi erdhi, policia vendosi që të gjobiste me 1000 euro pronarin e lokalit, që shërbente kafen me një çmim prej 2 eurosh.

    Ngjarja ka ndodhur në kafenenë e njohur Ditta Artigianale, në Firence, në pronësi të kultivuesit lokal të kafesë, Francesco Sanapo. Pronari nuk u gjobit për tarifimin e dy eurove për një ekspres pa kafeinë, por sepse çmimi nuk ishte i dukshëm për klientët. Dhe kjo ndodhi për shkak të disa kufizimeve nga pandemia që Italia ruan ende, si për shembull konsultimi i menuve në bare, restorante dhe kafene në format digjital.

    Për këtë arsye, pronari zgjodhi idenë për të pasur një kod QR me të cilin klientët të shihnin menunë dhe çmimet e secilit prej produkteve. Por, kjo nuk i ka mjaftuar klientit, i cili ka pohuar se çmimi nuk ndodhej në asnjë vend fizik, siç ishte rasti me produktet e tjera në kafene. Ndaj, ka thirrur policinë. Pronari, në një video në Instagram, thotë se është i gatshëm që të paguajë gjobën, por beson se çështja është ekzagjeruar.

    “Kjo gjë nuk mund të ndodhë. Sot, ka njerëz që mërziten nëse paguajnë 2 euro për një dekafeinato. Problemi është se duhet t’i japim gjërave vlerën e duhur. Nuk del hesapi po ta vendosim çmimin 1 euro. Gjithsesi, do ta paguaj gjobën sepse është e drejtë. Ne nuk e tregojmë çmimin e dekafeinatos në menunë pas banakut. Fajin e ka ligji që është kaq absurd dhe që duhet ndryshuar, përndryshe 99,9% e lokaleve dhe restoranteve do ta pësojnë siç e pësova unë”, thotë pronari.

    Në një video tjetër, ai siguron se nuk e diskuton fare gjobën, por po flet për të gjithë pronarët e lokaleve: “Po dal këtu për të thënë që askush të mos tronditet nëse paguan dy euro për një ekspres”.

    Sapo është postuar videoja, reagimet kanë qenë të menjëhershme. Debati ka mbërritur në mediat italiane dhe ka shkaktuar një debat intensiv për cilësinë e kafeve të servirura në vend. Nga njëra anë, baristë të tjerë kanë dalë në krah të Franceskos. Nga ana tjetër, në publikimin e biznesmenit ka komente që bien dakord me klientin për çmimin e kafesë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!