Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka falënderuar të njëjtën për mbështetjen që ia ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Ai tha se që nga takimi i fundit i kryetares së KE-së, Kurti tha se vendi ka shënuar përparim në shumë fusha.
“Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, tek ne ka demokraci elektorale. Zgjedhjet tona janë të lira, dhe po ato duhet të mbahen një herë në katër vjet, e jo dy herë në një vit”, u shpreh Kurti.
Pos tjerash, gjatë kësaj konference, Kurti foli për të arriturat të tjera të Kosovës përgjatë vitit të fundit.
Ai shtoi se Kosova është në një linjë me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Ne i mbrojmë vlerat e Nenit 2 të Traktatit për Bashkim Evropian, dhe mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim në BE mbetet më e larta në rajon, menjëherë pas Shqipërisë”, tha Kurti.
Ai shtoi se gjatë takimit me presidenten e KE-së, i kërkoi anëtarësimin në Konventën për Transitin e përbashkët.
“I kërkova edhe integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit”, tha kryeministri.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka shënuar përparim në demokraci, sundim të ligjit dhe ekonomi, ndërsa ka paralajmëruar se zvarritja e punës së Kuvendit mund të ndikojë në përfitimin e fondeve evropiane.
Kurti i bëri këto deklarata në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron në Kosovë në kuadër të vizitës së saj në rajon.
Duke folur për zhvillimet demokratike, Kurti tha se vlerësimet e pavarura, sipas tij, tregojnë për përmirësim të treguesve demokratikë, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve.
“Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm, dhe këtë e konfirmojnë vlerësuesit e pavarur. Kosova ka pasur njërën prej rritjeve më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon në këtë dekadë”, tha Kurti.
Ai u ndal edhe te procesi zgjedhor, duke thënë se Kosova është demokraci elektorale dhe se zgjedhjet në vend janë të lira, të drejta dhe konkurruese.
“Për drejtësi në rajonin tonë, të Evropës Juglindore, ka autokraci elektorale; Kosova demokraci elektorale. Zgjedhjet tona janë të lira, të drejta dhe konkurruese. Dhe po, ato duhet të mbahen një herë në 4 vjet, e jo dy herë në vit”, deklaroi ai.
Kurti: Ekonomia rritet 4 për qind në vit
Sipas Kurtit, Kosova po shënon rritje ekonomike prej rreth 4 për qind në vit, ndërsa borxhi publik, siç tha ai, mbetet ndër më të ulëtit në Evropë.
Ai përmendi edhe masat sociale të ndërmarra nga Qeveria, duke përfshirë shtesat për fëmijë dhe nëna, rritjen e pensioneve dhe të pagës minimale.
Kurti tha gjithashtu se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.
“Bllokada në Kuvend mund të lërë prapa fondet evropiane”
Duke folur për Planin e Rritjes, Kurti tha se Qeveria ka ndërmarrë hapa për përmbushjen e reformave dhe se pret që Kuvendi të procedojë ligjet e nevojshme.
“Ju siguroj se asnjë reformë evropiane nuk do t’i mbetet mbrapa. Ajo që bllokada në Parlamentin tonë mund të lërë prapa, janë fondet evropiane për këto reforma. Dhe kjo natyrisht që është përdorur keq”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se pesë ditë më parë Qeveria ka miratuar 10 nga 12 ligjet që kishin afat në qershor dhe i ka ridërguar në Kuvend.
“Jam i bindur se Kuvendi do të veprojë shpejt, dhe qytetarët e Kosovës do të përfitojnë plotësisht nga plani i rritjes”, shtoi ai.
Kërkesat e Kurtit ndaj BE-së
Në takimin me von der Leyen, Kurti tha se ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, me qëllim që mallrat të lëvizin më shpejt dhe me kosto më të ulët ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ai tha se ka kërkuar gjithashtu integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit.
“Kosova ka treguar se çfarë mund të arrijë. Hapja e këtyre dyerve do të na shndërronte harmonizimin tonë me rregullat e BE-së në qasje reale në tregun unik”, tha Kurti.

Eskorta e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është detyruar të ndalojë dhe të kthehet në Lipjan, pasi rruga nëpër të cilën po kalonte është bllokuar nga qytetarë që po protestonin.
Protestuesit kanë dalë në rrugë duke brohoritur “UÇK, UÇK” dhe “Nuk kalon”, duke penguar kalimin e eskortës së zyrtares së lartë evropiane.
Për shkak të bllokimit, eskorta është detyruar të ndryshojë itinerarin dhe të vazhdojë përmes rrugëve alternative.
Von der Leyen ndodhet në Kosovë në kuadër të vizitës së saj në rajon, ndërsa gjatë qëndrimit në vend pritet të zhvillojë takime me krerët institucionalë të Kosovës.

U.d presidentja e vendit, Albulena Haxhiu ka pritur për takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen është duke zhvilluar një vizitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dje ajo ka qenë në Shqipëri, ku ka takuar edhe kryeministrin Edi Rama.


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të zbritur në Prishtinë e ka gjetur veten me pritje protestuese nga qytetarë të Kosovë.
Kjo për arsye të Aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj drejtuesve të UÇK-së.
Qytetarë të numërt kanë dalë rrugës ku po kalonte eskorta e von der Leyen-it, me pankarta “Jo në emrin,” ndërsa janë dëgjuar edhe thirrje si “Marre.”
Gjykata Speciale financohet dhe merr mbështetjen administrative nga Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes si trup ekzekutiv i Komisionit Evropian.
Bashkimi Evropian është mbështetës i madh i Gjykatës Speciale.
Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, pritet të takohet me von der Leyen, në kuadër të vizitës së saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përveç Kurtit, ajo do të takohet edhe me Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiun.
Në Kosovë tashmë janë bërë mbi dyjavë protesta çdoditore në mbështetje të drejtuesve të UÇK-së.
Sot në ora 16:00 zhvillohet protestë e madhe e organizuar nga “Liria ka Emër” ku priten dhjetëra mijëra njerëz nga e mbarë Kosova të protestojnë në kërkim të drejtësisë për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Ata u dënuan me 81 vite burgim në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara./Nacionale

Pas qëndrimit në Shqipëri, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë nesër, sot Kosovën, në kuadër të turneut të saj të gjashtë në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, von der Leyen do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit për media, takimi von der Leyen-Haxhiu do të nisë nga ora 12:30 në Kabinetin e Presidentes.
Ndërkaq, në orën 13:00, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do ta presë në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në ndërtesën e Qeverisë.
Pas takimit do të mbahet konferencë për media.
Në fokus të vizitës do të jenë hapat e mëtejshëm në rrugën evropiane dhe procesi i integrimit gradual, i mbështetur edhe nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Pas vizitës në Kosovë, von der Leyen do të udhëtojë po më 1 tetor drejt Podgoricës, ndërsa turneu do të përmbyllet më 2 tetor në Shkup. Gjatë turneut ajo pritet të vizitojë edhe projekte të mbështetura financiarisht nga Bashkimi Evropian.
Gjatë vizitës së sotme në Shqipëri, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk e bën vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe vetë BE-në.
Në konferencën e përbashkët për media në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, ajo ka përgëzuar Shqipërinë për përparimin në rrugën drejt BE-së, por ka theksuar se ka ende punë përpara dhe se nevojiten reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur.
Von der Leyen ka theksuar gjithashtu se lufta kundër korrupsionit është kyçe në rrugën e anëtarësimit në BE.