Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ndaj interpretimit të këngës nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar këtë veprim fyerje të rëndë ndaj Kosovës, duke kërkuar sqarime nga Komisioni Evropian.
Gjini ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti, të cilën e ka akuzuar për diplomaci të dështuar dhe dëmtim të marrëdhënieve me aleatët.
“BE sonte tregoi se nuk po e merr seriozisht Kosovën, e kjo nuk ndodh rastësisht. Kur vetë qeveria jonë sillet me papërgjegjësi dhe nuk e merr seriozisht shtetin e vet, nuk mund të presim që të na marrin seriozisht të tjerët. Me diplomaci të dështuar, me raporte të prishura me aleatët dhe me Kosovën e lënë jashtë tavolinave kryesore, kjo qeveri ia ka hapur derën provokimeve të tilla në mes të Brukselit”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Të lejosh këngën nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së, nën organizimin e Komisionit Evropian dhe Marta Kos, është fyerje e rëndë ndaj shtetit tonë. Brukseli duhet të japë sqarim për këtë lëshim.
BE sonte tregoi se nuk po e merr seriozisht Kosovën, e kjo nuk ndodh rastësisht. Kur vetë qeveria jonë sillet me papërgjegjësi dhe nuk e merr seriozisht shtetin e vet, nuk mund të presim që të na marrin seriozisht të tjerët.
Me diplomaci të dështuar, me raporte të prishura me aleatët dhe me Kosovën e lënë jashtë tavolinave kryesore, kjo qeveri ia ka hapur derën provokimeve të tilla në mes të Brukselit.
Shteti duhet të reagojë urgjentisht në rrugë zyrtare dhe t’i japë fund kësaj loje me fatin e vendit, sepse kur udhëheqja jonë e trajton shtetin me amatorizëm, çmimin e paguan krejt Kosova.